ISLAMABAD – Pakistani dhe India bien dakord të tërheqin trupat në pozicionet në kohë paqeje

ISLAMABAD, 20 maj /ATSH-DPA/ – Pakistani dhe India kanë rënë dakord të tërheqin trupat e vendosura gjatë përplasjes së tyre të fundit në pozicione në kohë paqeje, në një hap drejt shpërshkallëzimit të situatës, pas një marrëveshjeje armëpushimi, thanë burime të shërbimeve sekrete pakistaneze.
Tërheqja u ra dakord gjatë raundit të fundit të komunikimit me anë të një linje të veçantë midis zyrtarëve të lartë ushtarakë nga të dyja palët.
Sipas burimeve, të dy vendet do të kthehen në pozicionet e vendosjes në kohë paqeje përgjatë kufirit të tyre dhe Vijës së Kontrollit – kufiri ”de facto” që ndan Kashmirin – deri në fund të majit.
Më 10 maj, rivalët e armatosur me armë bërthamore ranë dakord për armëpushimin pas ditësh të tëra sulmesh ajrore me dronë, raketa dhe dronë, duke synuar instalimet ushtarake dhe bazat ajrore të njëri-tjetrit.
Shkaku për tensionet e fundit ishte sulmi militant më 22 prill në Kashmirin e administruar nga India, i cili vrau 26 persona, kryesisht turistë indianë.
Nju Delhi e drejtoi gishtin nga Islamabadi, duke e akuzuar atë për mbështetje të militantëve, dhe më pas nisi sulme si ndaj Pakistanit ashtu edhe ndaj Kashmirit të administruar nga Pakistani në orët e para të 7 majit, duke vrarë dhjetëra njerëz dhe duke ndezur frikën se rajoni ishte në prag të një lufte të përgjithshme.
Pakistani mohoi të kishte ndonjë rol në sulmin ndaj pushuesve dhe kërkoi hetime të pavarura./ a.jor.