LONDËR – BM njofton rritje të ndihmës ushtarake, 450 milion paund financim për Ukrainën

LONDËR, 11 prill /ATSH-DPA/- Qeveria britanike njoftoi sot një rritje të mbështetjes ushtarake prej 450 milionë paund (584 milionë dollarë) për Ukrainën, pasi Britania e Madhe dhe Gjermania kanë thirrur sot një takim të ministrave të Mbrojtjes nga rreth 30 vende.
Sekretari i Mbrojtjes John Healey dhe homologu i tij gjerman, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius, do të kryesojnë sot Grupin e 27-të të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.
Takimet e grupit të kontaktit të mbrojtjes u kryesuan nga ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin – derisa Donald Trump u bë president në janar.
Që atëherë, pas shkëputjes së SHBA-së nga siguria evropiane, Healey e ka marrë përsipër këtë detyrë, duke kryesuar takimin e tij të parë, në shkurt.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe (MM) tha se paketa e re e mbështetjes ushtarake do të dorëzohet nga furnizuesit britanikë dhe ukrainas – për të ndihmuar në rritjen e forcave të armatosura të Ukrainës ndërsa ato vazhdojnë të mbrohen kundër sulmit rus.
Paketa, me vlerë 450 milionë paund, përfshin 350 milionë paund nga Britania e Madhe, me financim të mëtejshëm që sigurohet nga Norvegjia, nëpërmjet Fondit Ndërkombëtar të udhëhequr nga BM-ja për Ukrainën.
Paketa e mbështetjes do të shpallet nga Healey – pasi 50 vende të mblidhen për të bashkërenduar më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Ndihma do të përfshijë 160 milionë paund financim nga Britania e Madhe për të ofruar riparime dhe mirëmbajtje të automjeteve dhe pajisjeve që BM-ja i ka ofruar tashmë Ukrainës – duke partnerizuar kompanitë britanike me industrinë ukrainase.
Paketa përfshin gjithashtu një paketë të ndihmës ushtarake luftarake me financim për sistemet e radarëve, minat antitank dhe qindra mijëra dronë – me vlerë më shumë se 250 milionë paund – duke përdorur fondet nga BM dhe Norvegjia dhe duke u mbështetur në punën e koalicionit te aftesive të dronëve, të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Letonia.//a.i/