E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Starmer pret Zelenskyn dhe liderët evropianë, ndërsa vazhdojnë bisedimet për paqe

LONDËR, 6 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer do të takojë të hënën në Londër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe liderët e Francës dhe Gjermanisë, ndërsa vijojnë diskutimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Starmer do të përdorë takimin me Zelenskyn, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për të riafirmuar mbështetjen e Britanisë së Madhe  për Ukrainën.

Gjatë takimit pritet të diskutohet edhe mbi bisedimet që po zhvillohen mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas për garantimin e sigurisë së Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Rreth dy javë më parë, të katër liderët morën pjesë në një takim virtual të “koalicionit të të vullnetshëmve”, i thirrur nga Starmer dhe Macron, për krijimin e një force paqeruajtëse evropiane që mund të vendoset në Ukrainë në rast të një armëpushimi.

Megjithatë, paqja duket ende larg në Ukrainë, ku Rusia ndërmori një sulm masiv me dronë dhe raketa natën e së premtes.

Zelensky deklaroi se infrastruktura energjetike e vendit ishte objektivi kryesor i qindra dronëve rusë dhe rreth 50 raketave, ndërsa zyrtarët ukrainas akuzuan Moskën se po përpiqet të “armatosë” të ftohtin duke ua mohuar civilëve ngrohjen dhe energjinë.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë ditën e tretë të bisedimeve në Florida, teksa administrata e Donald Trump po e shtyn Kievin që të pranojë një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja.

Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë disa pjesë të planit, me integritetin territorial të Ukrainës dhe masat për të parandaluar sulme të ardhshme ruse që mbeten pikat më të vështira për Moskën./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›