LUKSEMBURG – BE propozon ‘ndryshimin e paradigmës’ në tregtinë globale ndërsa tarifat e SHBA-së tronditin tregjet

LUKSEMBURG, 7 prill /ATSH-DPA/- Ministrat e Tregtisë së Bashkimit Evropian u takuan sot për të diskutuar se si t’i përgjigjen tarifave të reja të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në bllok, ndërsa tregjet globale të aksioneve kanë regjistruar rënie.
Qeveria amerikane prezantoi të shtunën tarifat universale prej një minimumi prej 10% për importet nga pothuajse të gjithë partnerët e saj tregtarë.
Taksat, dukshëm më të larta, do të aplikohen për disa vende, në varësi të deficitit tregtar. Importet nga vendet e BE-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me tarifa të reja prej 20% duke filluar nga e mërkura.
“BE-ja duhet të përgatisë përgjigjen e bllokut ndaj ndryshimit të paradigmës së sistemit global tregtar”, tha komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, ndërsa mbërriti në takimin në Luksemburg.
Sefcovic u takua këtë javë në Uashington me përfaqësuesit e tregtisë amerikane në një përpjekje – deri tani të pasuksesshme – për të negociuar një zgjidhje.
Ministrat pritet të diskutojnë tarifat reciproke si dhe masat e tjera hakmarrëse që do të zbatohen në rast se përpjekjet diplomatike dështojnë.
“Krahas përgjigjes ndaj tarifave amerikane, BE-ja duhet gjithashtu të marrë në konsideratë bërjen e eksporteve të rëndësishme, si produktet farmaceutike, më të shtrenjta dhe vendosjen e tarifave për shërbimet digjitale nga kompanitë e teknologjisë amerikane”, tha ministri gjerman i Ekonomisë në largim, Robert Habeck.
Ai u bëri thirrje homologëve të tij të BE-së që të veprojnë së bashku dhe të mos përpiqen të sigurojnë kushte më të favorshme, individualisht.
Ministri gjerman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e një përshkallëzimi dhe reagimesh të nxituara, duke thënë se BE-ja nuk ka presion në kohë për të reaguar ndaj raundit të fundit të njoftimeve të tarifave.
“Trump e çoi SHBA-në në një “pozitë dobësie”, tha Habeck.
“Deklarata e fundit nga këshilltari dhe i besuari i Trump, Elon Musk, në favor të një situate me tarifa zero me një zonë të tregtisë së lirë midis Evropës dhe Amerikës së Veriut ishin një shenjë dobësie dhe ndoshta frike”, shtoi ai.
Ministrat e BE-së diskutuan gjithashtu marrëdhëniet tregtare me Kinën, pasi blloku është përpjekur të bindë Kinën prej disa vitesh që t’i japë fund praktikave tregtare, duke përfshirë subvencionet që blloku i konsideron se çrregullojnë konkurrencën. //a.i/