E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari: Kjo mazhorancë ka përgjegjësinë të konsolidojë reformën në drejtësi

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fjalën e tij në Kuvend, vuri theksin tek Reforma në Drejtësi.

Sipas ministrit ishte shumica socialiste “që ideoi reformën në drejtësi dhe që pati vullnetin ta çojë deri në fund me ndihmën e çmuar të partnerëve tanë strategjikë kryesisht BE dhe SHBA”.

Lamallari tha se po të ishte “në dorë të një pjese të politikës që rrijnë dhe anatemojnë Reformën në drejtësi dhe krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë, kjo nuk do të kishte ndodhur asnjëherë”.

“Po kjo mazhorancë ka përgjegjësinë historike për ta konsoliduar më tej këtë reformë dhe shqiptarët të kenë më në fund drejtësinë e munguar qysh nga dita e parë e themelimit të shtetit të pavarur shqiptar”, tha Lamallari.

Ministri theksoi më tej se “pas kapërcimit të madh që ne bëmë duke hequr drejtësinë nga duart e politikës, dhe çdo lloj ndikimi tjetër, sot është koha për një dimension të ri, një demokraci që të garantojë standarde të panegociueshme, demokratike njësoj si në vendet evropiane.

Lamallari tha se “fokusi ynë për vitin 2025 është shumë i qartë, lidhet me nevojën për transparencë, integritet, godina të qenësishme për gjykata dhe prokurorinë, si dhe për përdorimin masivisht të teknologjisë”.

Sipas Lamallarit, Ministria e Drejtësisë “po udhëheq fazën e dytë të konsolidimit të Reformës në Drejtësi me theksin tek integriteti, profesionalizmi dhe drejtësia e aksesueshme për të gjithë qytetarët”.

“Raporti i Kuvendit e thotë qartë drejtësia penale shqiptare po ecën drejt standardeve evropiane”, tha Lamallari.

Lamallari shtoi se “pavarësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe llogaria institucional përballë qytetarëve janë dy anët e së njëjtës monedhë: drejtësisë që funksionon”.

“Në 2025 nuk do të flasim më për reformë, por për konsolidimit, për drejtësi të matshme, të aksesueshme dhe të ndershme”, tha Lamallari.

Në këtë rrugë, shtoi ministri “Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të jetë jo vetëm një koordinatore e politikave, por një udhëheqëse e transformimit të sistemit të drejtësisë”.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›