E Martë, 3 Nëntor 2026

Manastirliu në shkollën verore “Eftali Koçi”: Zhvillojmë aftësitë e nxënësve përmes artit dhe sportit

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Në shkollën “Eftali Koçi” në Durrës po zhvillohet programi dyjavor “Shkolla Verore”.

Ky institucion është një prej 10 shkollave ku po pilotohet ky model nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako vizituan sot këtë shkollë, ku panë nga afër se si fëmijët mësojnë përmes lojës, artit, sportit dhe aktiviteteve sociale.

“Në shkollën “Eftali Koçi”, një nga 10 shkollat në të gjithë vendin ku po pilotojmë shkollën verore, një mundësi fantastike për fëmijët që të qëndrojnë në mjedisin e shkollës me mësuesit e të rinjtë vullnetarë për të zhvilluar aftësitë e tyre”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se “ky është modeli që duam ta shtrijmë në sa më shumë shkolla në të gjithë vendin”.

“Është një mundësi shumë e mirë për fëmijët për të qenë brenda mjediseve të shkollës me mësuesit e tyre për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sociale, kulturore, artistike, por mbi të gjitha duke mësuar përmes lojës. Ne duam që këtë program që po e pilotojmë në 8 shkolla në Tiranë, një në Kamzë dhe kjo në Durrës vitin tjetër ta zgjerojmë në shkolla të tjera”, nënvizoi Manastirliu.

Kryebashkiakja Sako tha se “në Durrës kemi kushte shumë të mira të të gjithë godinave arsimore. Do të jetë një ide shumë e mirë që ky projekt të vijojë edhe vitin që vjen për ti dhënë sa më shumë mundësi fëmijëve që të aplikojnë përveç profilit mësimor edhe pasionet e talentet e tyre”.

Në programin e shkollës verore angazhohen 150 punonjës arsimorë, përfshirë mësues, punonjës psiko-socialë dhe oficerë sigurie. Programi mbështetet gjithashtu nga 100 gjimnazistë vullnetarë të shkollave të mesme, të cilët japin ndihmesën e tyre në shkollat pranë komuniteteve të tyre.

Programi ndërthur përforcimin e njohurive me argëtimin përmes lojërave, aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive. Gjithashtu, është siguruar një vakt ushqimor për çdo fëmijë pjesëmarrës.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›