E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Politico”: Kallas paralajmëron Trump: Evropa nuk mund ta mbajë e vetme barrën e luftës në Ukrainë

BRUKSEL, 26 shtator /ATSH/- Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas paralajmëroi dje se nuk është vetëm Evropa përgjegjëse për të ndihmuar Ukrainën që t’i japë fund luftës së saj me Rusinë.

“Veçanërisht, kur merret në konsideratë premtimi i presidentit Donald Trump për të ndaluar luftimet”, tha Kallas për “Politico”.

“Ai ishte personi që premtoi të ndalonte vrasjet. Kështu që nuk mund të jetë vetëm përgjegjësia jonë”, tha ajo.

Deklarata e saj vjen ndërsa Ukraina dhe aleatët e saj përpiqen të kuptojnë ndryshimin e papritur të qëndrimit të Trump në luftën midis Kievit dhe Moskës.

Në një postim në “Truth Social” këtë javë, Trump tha se besonte se Ukraina ishte në një pozicion për të luftuar dhe për të rimarrë territoret e pushtuara.

Ai shtoi se kjo do të vinte me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të cilat “mund të bënin çfarë të donin” me armët amerikane.

Ndërsa shumë zyrtarë evropianë mirëpritën ndryshimin e tonit të Trump ndaj Ukrainës, disa prej tyre paralajmëruan se presidenti i SHBA-së – mund të ishte duke sugjeruar se ai synon të lirojë Uashingtonin nga përgjegjësia.

“Nuk ka NATO pa SHBA”, tha Kallas.

“Amerika është aleati më i madh në NATO. Nëse flasim për atë që duhet të bëjë NATO, kjo do të thotë se edhe Amerika duhet të jetë e përfshirë”, tha ajo.

Kohët e fundit, Trump ka ushtruar presion mbi vendet e NATO-s për të ndaluar plotësisht importin e naftës dhe gazit rus – një kusht që Uashingtoni të ecë përpara me tarifat ose sanksionet e veta kundër Moskës.

“Trump ka pasur të drejtë. Ne kemi reduktuar blerjet tona të naftës dhe gazit me 8%, që do të thotë se nëse të gjithë do të bënin atë që bëjmë ne, mund të kishte një efekt më të madh. Ne kemi ndërmarrë 19 paketa sanksionesh. Nëse aleatët do t’i pasqyronin ato, lufta do të mbaronte më shpejt”, tha ajo.

“Ndërsa anëtarë të lartë të ekipit të Trump, si sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm për misionet e paqes Steve Witkoff, kanë argumentuar se sanksionimi ndaj Rusisë mund të kërcënojë aftësinë e saj për të negociuar, Moska nuk i është afruar këtyre bisedimeve me “besim të mirë”, tha Kallas.

“E kuptoj atë që po thonë amerikanët – se ata nuk mund të ushtrojnë presion mbi Rusinë sepse kjo do të mbyllte kanalet e komunikimit që kanë me Rusinë, dhe ata janë të vetmit që ndërmjetësojnë këtë”, shtoi ajo.

“Por, gjestet pozitive nga SHBA-ja nuk kanë dhënë rezultate”, theksoi ajo.

“Ju po vini me besim të mirë, po bëni të gjitha përpjekjet që Rusia të vijë në tryezën e bisedimeve, por Kremlini, në fakt vetëm po e përshkallëzon konfliktin. Ky vullnet i mirë abuzohet nga Putini”, tha ajo.

“Putini po na vë në provë, duke parë se sa larg mund të shkojmë. Ai dëshiron të shohë reagimin tonë”, tha Kallas në lidhje me shkeljet e hapësirës ajrore.

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s dëshirojnë të përgjigjen me forcë për të penguar ndërhyrjet e ardhshme ruse, Moska po përpiqet gjithashtu të nxisë ankthin në vendet anëtare.

Kallas u shpreh gjithashtu në favor të mobilizimit të aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën përpara diskutimeve të ministrave të Financave të G7 të planifikuara për 1 tetor.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›