E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëviznin me makinë për të shitur kokainë e kanabis, goditje antidrogë në aksin Dimal-Kuçovë

Policia e Beratit ka finalizuar një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke vënë në pranga një person dhe duke proceduar penalisht një tjetër. Operacioni u zhvillua në aksin rrugor “Dimal-Kuçovë”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy shtetas po transportonin drogë me automjet.

Blutë e Beratit lokalizuan dhe ndaluan mjetin e dyshuar, i cili drejtohej nga shtetasi N. Ç., 40 vjeç, ndërsa pasagjer ishte shtetasi K. Q., 28 vjeç. Gjatë kontrollit të imtësishëm në automjet, efektivët gjetën dhe sekuestruan sasi lëndësh narkotike të llojit Kokainë dhe Cannabis Sativa. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se lënda narkotike posedohej nga dy të rinjtë me qëllim shitjen e saj.

Në përfundim të veprimeve procedurale, policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit, 40-vjeçarin N. Ç., ndërsa pasagjeri 28-vjeçar, K. Q., do të hetohet në gjendje të lirë.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Beratit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›