E Hënë, 2 Nëntor 2026

Librazhd – Humbin dy turistë zviceranë në Parkun Kombëtar të Shebenikut

Një çift turistësh nga Zvicra është raportuar i humbur në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Librazhd, në një nga zonat më të thella të vendit. Sipas informacioneve paraprake, turistët kanë dalë nga shtegu i shënuar gjatë një ecjeje në natyrë dhe kanë humbur orientimin në një terren të vështirë malor.

Njëri prej turistëve mësohet të ketë pësuar një dëmtim në këmbë dhe ka kërkuar ndihmë emergjente. Lokacioni i fundit i njohur është identifikuar në malin e Shebenikut, nga ana e fshatit Hotolisht, një zonë me akses të kufizuar dhe me kushte të vështira për ndërhyrje të shpejtë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Administrata e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, ka ngritur një grup emergjence, i cili në bashkëpunim me forcat e Policisë së Komisariatit të Librazhdit ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit.

Operacioni vijon në kushte sfiduese, për shkak të terrenit të thyer dhe motit që rrezikon të përkeqësohet gjatë orëve në vijim. Autoritetet theksojnë rëndësinë e respektimit të sinjalistikës dhe ndjekjes së shtigjeve të miratuara për ecje, duke bërë apel për kujdes të shtuar ndaj të gjithë vizitorëve që frekuentojnë zonat e thella malore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›