E Diel, 1 Nëntor 2026

Lideri i opozitës izraelite: Historia e besës shqiptare, model për paqen dhe dinjitetin njerëzor

Gjatë senancës plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, me praninë e kryeministrit Edi Rama, lideri i opozitës Yair Lapid vlerësoi rolin historik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar “Besën” shqiptare si një përgjigje morale që mbetet e vlefshme edhe sot.

Ai tha se në Shqipëri u mbrojt shenjtëria e jetës në emër të miqësisë dhe besës ndaj popullit hebre, duke e vendosur vendin tonë si shembull unik në Europë.

Lapid rrëfeu se familja e tij u tradhtua në Austri dhe Hungari, ndërsa hebrenjtë gjetën në Shqipëri një popull që e njihte kuptimin e fjalës “miqësi” dhe që nuk pranoi t’i dorëzonte nazistëve.

“Në Shqipëri ekziston një fjalë që e njeh edhe fëmija: BESA. Ajo do të thotë të mbash fjalën, të jesh një njeri tek i cili mund të mbështetesh. Ne, populli hebre, e dimë se ky koncept mbart një kuptim të thellë dhe i jep përgjigje pyetjes nëse Shqipërisë mund t’i besohet, dhe ky besim u testua në orët tona më të errëta” tha ai.

Duke iu referuar pushtimit italian dhe më pas atij nazist në vitin 1943, Lapid kujtoi se nazistët kërkuan listat e hebrenjve që jetonin në Shqipëri, një procedurë që nuk hasi rezistencë në asnjë shtet tjetër europian, përveç vendit tonë.

“Nazistët e dërguan babain tim në geton e Budapestit me ndihmën e autoriteteve hungareze. Gjyshi im përfundoi në një kamp përqendrimi në Austri me ndihmën e austriakëve. E njëjta gjë ndodhi edhe stërgjyshen time në Poloni, kur ushtria polake e dërgoi në kampin e tmerrshëm të Holokaustit. Vetëm shqiptarët thanë ‘jo’” u shpreh Lapid.

Ai theksoi se, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës që dorëzoi hebrenjtë në kampet e shfarosjes, shqiptarët zgjodhën t’i mbronin.

“Pasi e gjithë Evropa i kishte dorëzuar hebrenjtë në kampet, shqiptarët thanë: Ne do t’i mbrojmë hebrenjtë, pasi dinë të ndajnë të mirën nga e keqja dhe dinë të ndajnë moralin njerëzor nga jomorali, pasi kanë Besën” tha ai, duke shtuar se ky koncept është një udhërrëfyes edhe për epokën e sotme.

Lapid nënvizoi se modeli shqiptar i vitit 1943 është një shembull i jashtëzakonshëm që i jep përgjigje pyetjes se si duhet të veprojë bota në kohë krize.

 “Bota i tha Shqipërisë se nuk kishte më rregulla dhe se për të mbijetuar duhej t’i dorëzonte hebrenjtë. Shqipëria u përgjigj se, edhe nëse rregullat kishin rënë, ajo kishte rregullat e saj: besimin te shenjtëria e jetës, bindjen se të pafajshmit nuk mund të vriten dhe respektin për miqësinë, pra besën e dhënë” tha ai.

Në përfundim, Lapid theksoi se partneriteti mes Izraelit dhe Shqipërisë bazohet mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta njerëzore, duke shtuar se ky bashkëpunim mund të thellohet e zgjerohet më tej, gjithmonë mbi themelin e Besës shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›