Lini liqenor, zbulimet arkeologjike i dhanë jehonë fshatit turistik

Fshati turistik i Linit është një nga fshatrat më të pëlqyer sidomos nga turistët e huaj të cilët vizitojnë Pogradecin, veçanërisht pas zbulimeve të fundit arkeologjike të cilat bënë jehonë në mediat ndërkombëtare. Të shumtë janë vizitorët nga Franca, Italia dhe Gjermania, por edhe vende të tjera të cilët e kanë futur fshatin turistik në hartën e vendeve të cilat do të vizitojnë këtë verë.
“Unë quhem Oliver dhe vij nga Franca. Gruaja ime vendosi që ne të vinim në Shqipëri patjeter. Pamë fotot në internet dhe na pëlqeu kështu që thamë pse jo. Në Lin më pëlqeu shumë liqeni dhe freskia që të fal. Po kemi provuar shumë ushqime tradicionale, madje dje provuam dhë peshkun e liqenit ishte i mrekullueshem. Do qendrojme 2 ditë në Lin dhe më pas do lëvizim në Berat” thotë turisti nga Franca.
“Unë jam nga Anglia dhe po është hera e parë në Shqipëri. Kemi ardhur në Lin për të parë se çfarë ka mbetur nga ky fshat i vjetër gjithashtu njerëzit janë shumë miqësorë. Sapo mbërritëm në Lin dhe në Shqipëri do të qëndrojmë 10 ditë. Kemi vizituar dhe jugun dhe veriun. Me ka pëlqyer shumë ushqimi, krepat, sallatat dhë sigurisht rakia.” thotë një turist britanik.
Fshati turistik i Linit ka marrë një vëmendje të shtuar kohëve të fundit nga të huajt, ndërsa burime nga bashkia e Pogradecit tregojnë se në të janë 15 hotele dhe bujtina me 150 shtretër akomodimi. Gjithshtu vizitorët e zgjedhin Linin për qetësinë dhe bukurinë e liqenit që ky fshat të fal.
/ rtsh.al /