Lirimi i hapësirave publike, merr fund uzurpimi i hyrjes së shkollës “Ali Laçej” në Shkodër

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga uzurpimi do të sjellë më shumë siguri për nxënësit e shkollës “Ali Laçej” në Shkodër.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri sot me dije, se të hënën merr fund bllokimi i hyrjes së kësaj shkolle, nga disa hekura, lavazhe dhe motorë uji të braktisur prej vitesh aty.
“Është e papranueshme që nxënësit e shkollës “Ali Laçej” të detyrohen prej vitesh të hyjnë nga dera anësore, sepse hyrja kryesore e shkollës është uzurpuar”, tha Beci.
Kryebashkiaku i Shkodrës, paralajmëroi gjatë vizitës në këtë shkollë, se këto çudira duhet të mbeten pjesë e së shkuarës.
“Të hënën, kjo paligjshmëri merr fund dhe nis puna për rehabilitimin e zonës. Nxënësit e shkollës “Ali Laçej” do të kenë hyrjen që u takon, atë kryesore, me dinjitet dhe siguri”, vijoi ai.
Beci tha se Shkodra si qytet, do të marrë frymë ndryshe, me rregull, respekt dhe kujdes.
“Ne nuk do të ndalemi derisa të vendosim normalitetin që Shkodra meriton”, përfundoi Beci.
Lirimi i hapësirave publike në Shkodër po vijon me një plan të detajuar ndërhyrjesh, në bashkëpunim me strukturat e tjera të shtetit, për të garantuar rikthimin e tyre në funksion të qytetarëve.
/e.i/j.p/