Lokali në Pogradec ndalon hyrjen e të miturve për të frenuar braktisjen e shkollës nga nxënësi

Një vendim i pazakontë është marrë nga një prej lokaleve të qytetit të Pogradecit, i cili ka ndaluar hyrjen e të rinjve nën moshën 18 vjeç.
Sipas drejtuesve të lokalit, iniciativa ka për qëllim të frenojë prirjen e nxënësve për të braktisur orët e mësimit dhe për të kaluar kohën në ambiente argëtimi, duke lënë pas dore librat dhe shkollën.
“Pamë që ata kishin kaluar nga librat tek veshjet ekstravagante, duhani dhe fjalori banal”, thotë Armand Hoxha, menaxheri i lokalit.
Ky vendim, edhe pse sjell humbje ekonomike për lokalin, shihet nga stafi si një mesazh më i rëndësishëm sesa të ardhurat e humbura.
“Jemi të mendimit që më mirë një lokal bosh sesa një shkollë bosh”, shton ai.
Iniciativa është vlerësuar edhe nga specialistë të fushës së shëndetit mendor dhe punonjës socialë, të cilët theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës.
“Të gjithë fëmijët gjatë procesit mësimor, pra, fashës mësimore, nuk duhet të devijojnë përveçse në ambientet e shkollës. Subjektet dhe i gjithë komuniteti këtu në qytetin e Pogradecit duhet të jemi koshientë, të bëjmë përpjekjet tona, që të gjithë të miturit dhe fëmijët gjatë orarit mësimor të jenë në ambientet e shkollës”, shprehet punonjësi social, Arbi Basho.
Ky shembull nga Pogradeci pritet të ngjallë diskutime edhe në qytete të tjera të vendit për mënyrën sesi bizneset mund të japin kontributin e tyre në edukimin dhe orientimin e brezit të ri.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/