Reshjet e ditëve të fundit nuk patën ndikim tek liqeni i Kukësit, niveli 27 metra larg kuotës maksimale

Reshjet e fundit të shiut nuk kanë mjaftuar për të përmirësuar ndjeshëm nivelin e ujit në liqenin e Fierzës.
Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, niveli i ujit aktualisht është 269 metra mbi nivelin e detit, duke treguar se reshjet e rëna nuk kanë sjellë ndryshim të dukshëm në situatë.
Të dhënat e fundit për kaskadën e Drinit flasin për një gjendje ende të brishtë, sidomos për Fierzën, që është hidrocentrali kryesor ndër të tre që përbëjnë këtë kaskadë.
Aktualisht vetëm dy turbina janë në funksion për prodhimin e energjisë, nga katër që ka HEC-i i Fierzës.
Që prej disa muajsh prodhimi vendas i energjisë mbetet i ulët për shkak të mungesës së prurjeve të mjaftueshme. Ekspertët paralajmërojnë se me afrimin e dimrit, kërkesa për energji pritet të rritet, duke ndikuar në çmimet në tregjet ndërkombëtare.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/