Dy inspektorë të ISHTI-it nën masa sigurie nga GJKKO-ja, morën para për të mos gjobitur një biznes

Dy inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vendosur nën masa sigurie nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas një njoftimi zyrtar të SPAK-ut, ata akuzohen për korrupsion të kryer në bashkëpunim dhe marrje ryshfeti, me qëllim mbulimin e një aktiviteti tregtar pa leje në qytetin e Korçës.
Më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi kërkesën e SPAK për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve, “Arrest në burg” për O.J., inspektor në ISHTI, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale dhe “Arrest në shtëpi” për L.S., ish-inspektor në të njëjtin institucion, bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Ekzekutimi i masave u krye më 27 shtator 2025, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal u regjistrua më 5 mars 2025 nga SPAK, pas referimit nga Prokuroria e Korçës.
Të dy zyrtarët po hetohen për veprat penale “Korrupsion aktiv” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim – vepra të parashikuara nga nenet 244/2, 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të mbështetura në metoda speciale dhe prova të dokumentuara, më 1 nëntor 2021, O.J. dhe L.S. kanë marrë ryshfet në vlerën 900.000 lekë dhe 10.000 dollarë amerikanë nga një subjekt privat me inicialet J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar pa dokumentacion ligjor dhe pa licensë teknike.
Në këmbim të shumës së përfituar, inspektorët nuk morën masa administrative ndaj subjektit, duke i mundësuar vazhdimin e aktivitetit në kundërshtim me ligjin.
Organet e drejtësisë theksojnë se hetimet janë në vijim dhe se janë përdorur mjete ligjore dhe teknike për dokumentimin e abuzimit me detyrën. Prokuroria e Posaçme ka deklaruar vendosmërinë për të ndëshkuar rastet e korrupsionit në institucionet shtetërore.
/rtsh.al/