Lugina e Drinos, rruga e shpendëve të panjohur, sivjet folezuan nëntë çifte lejlekësh.

Në luginën e Drinos, natyra vijon të japë shenja pozitive. Shpendë të rrallë, mes tyre edhe specie të rrezikuara, kanë zgjedhur sërish këtë zonë për të ndërtuar foletë e tyre.
Një prej tyre është lejleku i bardhë, i cili sipas të dhënave të këtij viti është shtuar me 9 çifte të reja, një tregues i përmirësimit të habitatit dhe kujdesit të treguar ndër vite për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore.
Sipas ambientalistit Grigor Dushi, lugina e Drinos ofron kushte të favorshme për folezimin dhe ushqimin e këtyre shpendëve, ndërsa rritja e numrit të tyre dëshmon se masat për ruajtjen e biodiversitetit kanë dhënë rezultate.
“Kemi një rritje të konsiderueshme të lelekut. Kemi shumë çifte të cilat kanë ardhur për të folezuar dhe gjatë kësaj periudhe të folezimit në qarkun e Gjirokastrës, në luginën e Drinos, janë evidentuar rreth nëntë çifte folezimi.”
Prania e lejlekëve dhe e shpendëve të tjerë të rrallë e ka kthyer luginën e Drinos edhe në një destinacion tërheqës për turistët dhe studiuesit e natyrës. Vizitorë vendas e të huaj ndalojnë për të vëzhguar këto specie në habitatin e tyre natyror, duke i dhënë zonës edhe një vlerë të shtuar për turizmin e qëndrueshëm.
“Kundërrimi i shpendëve është pjesë e turizmit elitar, sidomos kur bëhet fjalë për shpendët e rrallë. Për këtë arsye, Bashkia e Dropull ka ndërtuar një kullë vrojtimi të shpendëve në Peshkëpi. Kjo zonë është veçanërisht e rëndësishme, pasi Peshkëpia ndodhet në një kanal natyror dhe është pjesë e korridorit të lëvizjes së shpendëve shtegtarë.”
Megjithatë, specialistët theksojnë se kjo pasuri mbetet e brishtë. Ndërhyrjet njerëzore, ndryshimet në habitat dhe ndotja përbëjnë ende kërcënim për shpendët e rrallë. Prandaj kërkohet vijimi i masave për mbrojtjen e tyre, në mënyrë që lugina e Drinos të mbetet një strehë e sigurt për biodiversitetin dhe një nga zonat më të rëndësishme natyrore në jug të vendit.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/