Trajnimi i 100 vullnetarëve të parë për përballimin e emergjencave, Rama: Model europian që do e bëj vendin më të sigurt

Kryeministri Edi Rama tha se vullnetarizmi dhe solidariteti e bëjnë Shqipërinë më të fortë dhe më të sigurt.
Duke ndarë pamje nga trajnimi dhe certifikimi i 100 vullnetarëve të parë për përballimin e situatave emergjente, me fokus të veçantë ndërhyrjen në raste zjarresh, Rama tha se vendi po ndërton një modeli bashkëpunim mes institucioneve dhe qytetarëve, si në vendet e europiane.
“Trajnohen dhe certifikohen 100 vullnetarët e parë për përballimin e situatave emergjente, sidomos në raste zjarresh. Janë punonjës të kompanisë publike Illyrian Guard, që zgjodhën të marrin këtë përgjegjësi, duke dëshmuar se vullnetarizmi, solidariteti dhe përgatitja janë vlera që e bëjnë Shqipërinë më të fortë dhe më të sigurt. Po ndërtojmë një model ku institucionet, sektori publik dhe qytetarët bashkëpunojnë, ashtu si në vendet më të përparuara europiane”, shkruan Rama.
Trajnimi i vullnetarëve është zhvilluar në kuadër të programit “Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile”, nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Punonjësit e certifikuar do të shërbejnë si një forcë mbështetëse për strukturat profesionale në raste emergjencash, duke kontribuar në reagimin ndaj zjarreve dhe situatave të tjera të jashtëzakonshme.
Krijimi i kësaj trupe vullnetarësh të trajnuar synon forcimin e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e emergjencave civile dhe ndërtimin e një rrjeti më të gjerë reagimi në terren.
/rtsh.al/