E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-prokurori Tom Deda kërkon të jetë palë në çështjen Veliaj-Dado: U shkarkova padrejtësisht që të emërohej ai

Në seancën gjyqësore për padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, Gjykata Administrative njoftoi se në proces është paraqitur edhe një kërkesë tjetër për ndërhyrje kryesore nga ish-prokurori Tom Deda.

Gjatë seancës, gjyqtari i kërkoi Dedës të shpjegojë interesin e tij në këtë çështje dhe arsyet e kërkesës për ndërhyrje.

Deda deklaroi se lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen, pasi ka qenë prokuror në Prokurorinë e Kurbinit deri në vitin 2009. Sipas tij, në vitin 2008 në këtë prokurori ishte zhvilluar një kontroll mbi punën e tij dhe rezultati kishte qenë pozitiv.

“Kam qenë prokuror në Kurbin deri në vitin 2009. Në vitin 2008 vjen grupi i kontrollit për tre vitet e punës, përgatitet akti i kontrollit dhe rezultova mirë”, tha Deda.

Gjyqtari e pyeti se çfarë interesi kishte në lidhje me emërimin e Ols Dados. Ish-prokurori u përgjigj se largimi i tij nga detyra lidhej me emërimin e Dados në atë pozicion.

“Shkarkimi u bë që Dado të emërohej në vendin tim. Unë hapa vend pune, u hoqa në mënyrë të paligjshme. Emërimi i tij përkon me largimin tim”, deklaroi Deda.

Ish-prokurori deklaroi gjithashtu se do të paraqesë edhe një kërkesë për dëmshpërblim, duke pretenduar se largimi i tij nga detyra ka qenë i padrejtë.

“Do paraqes kërkesë për dëmshpërblim. Doja të isha më i mbushur me drejtësinë e dhënë”, u shpreh ai.

Gjatë deklaratës së tij, Deda ngriti akuza të forta ndaj personave që, sipas tij, kanë ndikuar në largimin e tij nga detyra.

“Zinxhiri i personave që kanë marrë pjesë në largimin tim janë organizatë kriminale. Ata janë në poste drejtuese”, deklaroi ish-prokurori.

Ai përmendi gjithashtu ish-kryeprokuroren Ina Rama, duke thënë se “më shkarkoi për një qëllim kriminal”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›