Lushnjë – Një ditë pas zjarrit në pallat, ku rrjeti elektrik mori flakë. OSHEE në terren

Pas zjarrit që përfshiu pallatin e tyre, banorët në lagjen “Çlirimi” në Lushnjë janë kthyer në apartamente, ku tashmë mungon energjia elektrike, ndërsa era e djegies ndihet akoma.
Mbingarkesa në rrjet dyshohet se shkaktoi një natë më parë shkëndijën elektrike, e cila më pas shpërtheu në flakë duke e djegur gjithë panelin dhe rrjetin e brendshëm elektrik.
Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve në apartamentet e sipërme.
“Shkaku i zjarrit është masë elektrike në panelin elektrik të pallatit, në katin e parë. Me të marrë sinjalin erdhëm me shpejtësi. Bëmë neutralizimin e zjarrit dhe menjëherë filluam evakuimin e banorëve. Me vështirësi, por ia dolëm që t’i nxirrnim në bashkëpunim edhe me qytetarët, dhe me forcat policore,” tha shefi i forcave zjarrfikëse në Lushnjë, Xhezmi Metushi.
Ai tregoi se banorët e kanë neglizhuar raportimin për djegien, shenjat e së cilës u dhanë dy orë më herët, pasi ndihej era e kabllit që po digjej.
“Duhet të ishim lajmëruar edhe më shpejt nga banorët, qoftë ne, qoftë shërbimi elektrik. Ju e shikoni vetë pozicionin. Afër panelit kishte edhe materiale që nuk duhet të ishin, një biçikletë, nja dy karrige,” shtoi z. Metushi.
Në pallat, specialistët e OSHEE-së kanë vlerësuar këtë të mërkurë situatën për rivendosjen e matësve të rinj elektrikë. Sipas tyre, kabllot e përdorur për ndërtimin e rrjetit elektrik të pallatit kanë qenë të cilësisë së dobët, çka solli djegien e plotë të tij.
Si pasojë e zjarrit, tre nga banorët kaluan natën në spital, por i lanë ambientet e emergjencës pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore.
/rtsh.al/