E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së: Inspektorët janë kthyer në Iran, rifillojnë kontrollet në objektet bërthamore

Një ekip i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) është rikthyer në Iran, për herë të parë pas përshkallëzimit të tensioneve këtë vit, që përfshinë sulme izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Lajmin e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, në një intervistë për “Fox News”.

“I pari ekip inspektorësh është kthyer në Iran dhe ne jemi gati të rifillojmë”, deklaroi Grossi, duke shtuar se aktualisht po diskutohen “modalitete praktike” për të lehtësuar rifillimin e punës në terren.

Ai theksoi se disa nga objektet iraniane janë sulmuar, e disa jo, çka kërkon vlerësime të diferencuara.

Irani kishte pezulluar bashkëpunimin me IAEA-në pas konfliktit 12-ditor me Izraelin në qershor, duke akuzuar agjencinë e OKB-së për qëndrim pasiv ndaj sulmeve që shënjestruan infrastrukturën e tij bërthamore.

Paralelisht, Teherani zhvilloi bisedime me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë në Gjenevë, në përpjekje për të shmangur rikthimin e sanksioneve që këto vende kanë kërcënuar të aktivizojnë sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i quajti këto bisedime si një mundësi që “treshja evropiane të bëjë zgjedhjen e duhur dhe t’i japë diplomacisë kohë dhe hapësirë”.

Tensionet pasojnë prishjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, kur Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Donald Trump, u tërhoqën në mënyrë të njëanshme dhe vendosën sanksione të reja ndaj Iranit. Prej atëherë, përpjekjet për rivendosjen e marrëveshjes janë penguar nga zhvillime të vazhdueshme në terren.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›