MAS: Publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin e Maturës Shtetërore

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaroi sot opinionin publik, maturantët, prindërit e tyre dhe mësuesit se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit.
Në një njoftim zyrtar, Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj, i Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë, sipas rregullores në fuqi duke garantuar standardet më të larta të testimit për 27 mijë maturantët në të gjithë Shqipërinë.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë opinionin publik se provimi i parë i Maturës Shtetërore 2025, gjuha e huaj, po zhvillohet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe transparencës, në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon me forcë çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë dhe integritetin e Maturës Shtetërore, duke theksuar se çdo përpjekje për të prishur mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të trajtohet me rigorozitet, sipas rregullores në fuqi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet me standardet më të mira, duke i dhënë mundësi maturantëve të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e përfituara gjatë viteve të studimit.
“Këto standarde janë garantuar nga strukturat arsimore në çdo hallkë të procesit: Nga hartimi i testeve me profesionalizëm dhe siguri të plotë, deri te përgatitja dhe certifikimi i personelit administrativ. Janë kryer konsultimet në shkolla, testet model të shpërndara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore që në muajin janar, zhvillimi i para-testeve në shkolla si dhe mbështetja psikologjike për përballimin e stresit të provimeve, si masa që kanë shoqëruar përgatitjen për Maturën 2025”, thuhet në njoftimin e MAS.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, nënvizon faktin se vit pas viti janë forcuar elementët teknikë të kontrollit, përfshirë kamerat e sigurisë, rregullat për hyrje-daljet dhe standardet e administrimit, duke synuar një ambient të qetë dhe të përshtatshëm për çdo nxënës.
Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe e drejta e gjithësecilit për të zhvilluar provimin në kushte të barabarta. “Për këtë arsye, angazhimi ynë do të vijojë i pandalshëm për të garantuar një proces të drejtë dhe të ndershëm”, përfundon njoftimi.
Sot zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës së huaj. /j.p/