MEPJ: 30 praktika mësimore ose profesionale për të rinjtë

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ofron deri në 30 praktika pune për të rinjtë pranë MEPJ në periudhën 22 prill–25 korrik 2025.
MEPJ ka publikuar sot thirrjen për aplikim për të rinjtë shqiptarë të grupmoshës nga 18-30 vjeç, të cilët janë duke ndjekur studimet universitare (Bachelor/Master) ose janë të diplomuar në një prej fushave: Marrëdhënie Ndërkombëtare, Drejtësi, Ekonomi, Shkenca Politike, Gazetari dhe Gjuhësi.
Kjo praktikë pune është një mundësi shumë e mirë për praktikë mësimore dhe/ose profesionale; përfshirje në veprimtari të ndryshme të MEPJ; njohje nga afër të fushës së diplomacisë dhe funksionimit të institucionit si dhe pajisje me certifikatë pjesëmarrjeje të lëshuar nga MEPJ në përfundim të programit etj.
Të interesuarit duhet të dërgojnë, jo më vonë se data 17 prill 2025, në adresën e e-email: akademia.diplomatike@mfa.gov.al, një jetëshkrim (CV); letër motivimi për ndjekjen e praktikës si dhe vërtetim studenti ose diplomë universitare.
Aplikantët e përzgjedhur do të njoftohen me postë elektronike për procedurat pasuese. /j.p/