MOSKË – Kremlini: Kritikat e Trumpit vijnë si pasojë e mbingarkesës emocionale

MOSKË, 26 maj /ATSH-DPA/- Kremlini tha sot se kritikat e ashpra të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj presidentit rus, Vladimir Putin vijnë si pasojë e “mbingarkesës emocionale”, mes pasigurisë mbi statusin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Perspektiva e negociatave është e lidhur, sigurisht, me mbingarkesën emocionale, absolutisht të të gjithëve dhe me reagimet emocionale”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Ai hodhi poshtë kritikat e Trump për bombardimin masiv të Ukrainës gjatë tre netëve të fundit, duke argumentuar se Putini po merrte vendimet që ishin të nevojshme për të siguruar sigurinë e vendit.
Sulmet intensive ndaj Ukrainës e nxitën Trump t’u thoshte dje gazetarëve se nuk ishte i kënaqur me atë që po bënte Putini.
“Jemi në mes të bisedimeve dhe ai po sulmon me raketa Kievin dhe qytetet e tjera. Nuk më pëlqen aspak. Dhe jam i befasuar. Jam shumë i befasuar”, tha Trump.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht!”, shkroi Trump në “Truth Social”.
Peskov tha sot se koha dhe vendi për bisedime të mëtejshme me Ukrainën nuk ishin vendosur ende.
Një memorandum në të cilin Moska synon të paraqesë pikëpamjen e saj mbi një zgjidhje të mundshme të konfliktit gjithashtu nuk u është dorëzuar ende ukrainasve.
Një javë më parë, Trump foli drejtpërdrejt me të dy udhëheqësit dhe më pas, njoftoi se negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvilloheshin “menjëherë”. Megjithatë, këto nuk ndodhën kurrë.
Përfaqësuesit e të dyja palëve zhvilluan bisedime në Stamboll në mesin e majit, por pa rezultate, përveç një pakti për shkëmbimin e të burgosurve. //a.i/