MUZIKË – Taylor Swift, një nga emrat më të rinj në historinë e “Hall of Fame”

NJU JORK, 12 qershor /ATSH/- Këngëtarja dhe autorja amerikane Taylor Swift është bërë gruaja më e re në histori që pranohet në “Songwriters Hall of Fame”, duke mbajtur një fjalim emocional prej 21 minutash gjatë ceremonisë së zhvilluar në Nju Jork, sipas BBC.
Gjatë fjalës së saj, Swift falënderoi familjen për sakrificat e bëra në fillimet e karrierës së saj. Ajo kujtoi se prindërit dhe vëllai i saj u shpërngulën nga Pensilvenia në Nashville kur ishte vetëm 14 vjeçe, në mënyrë që ajo të mund të zhvillonte talentin e saj në kryeqendrën amerikane të kantautorëve.
“Edhe pse fjalët supozohet të jenë fusha ime, nuk do të jem kurrë në gjendje të shpreh mirënjohjen time për atë që keni bërë për mua. Ju jeni arsyeja pse jam këtu sonte”, tha ajo mes emocionesh.
Swift, 36 vjeçe, u prezantua në ceremoni nga regjisori legjendar Steven Spielberg, të cilin e quajti një hero që ka ndikuar në mënyrën e saj të tregimit të historive përmes muzikës.
Ajo theksoi se shkrimi i këngëve ka qenë pjesa e vetme e karrierës që i ka ardhur natyrshëm. Sipas saj, askush nuk e mësoi të shkruante këngë, ndërsa iu desh të mësonte me kalimin e kohës si të performonte para publikut, të përballonte industrinë e muzikës dhe të ruante ekuilibrin personal.
Ky vlerësim vjen pas një periudhe shumë të suksesshme për yllin e muzikës pop, e cila në tetor publikoi albumin “The Life of a Showgirl”, duke thyer edhe një herë rekordet e shitjeve.
Swift bëhet personi i dytë më i ri që pranohet në “Songwriters Hall of Fame”, pas Stevie Wonder, i cili ishte vetëm 33 vjeç kur mori këtë nderim. Mes këngëve që u vlerësuan veçanërisht janë “All Too Well”, “Blank Space”, “Anti-Hero”, “Love Story” dhe “The Last Great American Dynasty”.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe i fejuari i saj, ylli i futbollit amerikan Travis Kelce, ndërsa vazhdojnë spekulimet se çifti mund të martohet muajin e ardhshëm.
E themeluar në vitin 1969, “Songwriters Hall of Fame” nderon çdo vit autorët e këngëve që kanë lënë gjurmë në muzikën popullore botërore. Në më shumë se pesë dekada, më pak se 500 persona janë përfshirë në këtë institucion prestigjioz. /Ad.Ab./