Rama: Vlora e do investimin në Zvërnec, toka u përket atyre që e kanë blerë ligjërisht

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se toka ku planifikohet të ndërtohet investimi në Zvërnec nuk është më e askujt, përveç atyre që e kanë blerë bazuar në tituj legjitimë të pronësisë siç janë në Kadastër.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria live” në Top Channel, i pyetur nga gazetarja lidhur me shpalljen në kërkim nga SPAK të Artur Shehut, pronar i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, Rama tha se “hetimet për persona që janë edhe shitës të tokës janë hetime që janë në një rrugë paralele që vazhdon, dhe SPAK bën punën e vet”.
Por, vijoi Rama, këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, dhe sot që flasim prona është e pronarëve që e kanë blerë nga këta shitës.
“Ajo pronë është jashtë totalisht çdo lloj diskutimi, kontestimi apo investigimi. Kjo është diçka që doli shumë e qartë në momentin kur transaksioni kaloi në një konto të ngrirë të cilën subjekti në hetim nuk e akseson dot pa mbaruar hetimet. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe është lajm shumë i mirë për ata që pretendojnë se prona është e tyre, sepse në rast se ata do ta provojnë në gjykatë se prona është tyre lekët do t’i marrin ata dhe nuk do t’i marrë personi që ka bërë shitjen”, nënvizoi Rama.
I pyetur nëse rrezikon investimi pasi këta ish-pronarë kanë këtë lloj problematike me drejtësinë, edhe pse po ndodhin këto protesta, Rama tha se “nga pikëpamja ligjore investimi nuk rrezikon asgjë, nga pikëpamja sesi investitorët mund të ndihen përballë një qasjeje mosmikpritëse ndaj investimit, edhe pse kjo është një qasje e një pjese dhe jo e të gjithë popullit, edhe pse kjo është qasje në bulevardin e Tiranës dhe jo në Sheshin e Flamurit, pasi Vlora këtë investim e do, dhe Zvërneci këtë investim e do. Dhe ata që janë pronarë pretendues, siç e keni parë dhe në ballafaqimin tim publik me ta edhe në biseda me ta, e duan”.
“Kjo është një çështje e investitorëve. Ajo që unë besoj është një çmenduri që Shqipëria të refuzojë 4 miliardë euro investim duke qenë një vend që ka pak më shumë se 27 miliardë euro në total ekonominë e vet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “pikërisht pse është çmenduri shumica e shqiptarëve jo vetëm që nuk e refuzojnë këtë investim, por e do këtë zhvillim”.
Pyetjes nëse Artur Shehu është pronar i kësaj prone me certifikatë, Rama iu përgjigj se “nuk jam autoriteti përkatës, por nuk ka asnjë shans në Republikën e Shqipërisë që të bëhen transaksione blerjesh e shitjesh pa certifikatën, sepse besoj që ka kjo botë budallenj që të kenë sasira aq të konsiderueshme parash dhe që t’i japin pa pasur certifikata të bëra krejtësisht, pa skanimin nga ana e noterëve, avokatëve”.
/k.s/r.e/a.f/