E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Heqja e sanksioneve ndaj meje në përputhje të plotë me ligjet e SHBA

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se heqja e sanksioneve ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në përputhje të plotë me ligjet e SHBA.

“Është një produkt në përputhje të plotë me ligjet që kanë Shtetet e Bashkuara. Me ligjet e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Berisha theksoi se do të udhëtojë drejt SHBA-së, por tha se vizita do të koordinohet me miqtë e tij atje dhe do të realizohet pas përfundimit të sezonit të pushimeve.

Ai deklaroi se Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se ai dhe familjarët e tij nuk ndodhen më në listën e personave të cilëve u ndalohet hyrja në territorin amerikan.

“Departamenti i Shtetit ka dhënë përgjigjen më të qartë se nuk është në listë, është hequr nga lista e atyre që nuk mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ai dhe familjarët e tij. Familjarët e tij. Dhe persona të tjerë që s’kanë lidhje me mua. Sali Berisha s’ka qenë kurrë non-grata. Shpallja non-grata bazohet në Konventën e Vjenës. Kurse dizenjimi për mos-hyrje në territorin e Shteteve të Bashkuara ka në bazë një ligj të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pra është ligj i brendshëm.

Pse është bërë kjo ngatërresë? Është bërë kjo ngatërresë sepse për shumicën e njerëzve e morën të tillë dhe unë nuk kisha ndërmend të angazhohesha në beteja semantike, në një kohë kur unë po angazhohesha në thelbin e çështjes. Thelbi i çështjes, zotëri, është ai që Departamenti i Shtetit deklaroi: se Sali Berisha mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara, dhe ky vendim është marrë për interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Berisha.

Berisha tha se “nuk kam bërë asnjë lloj kërkese, për asnjë lloj rrethane shëndetësore apo tjetër, siç duan të mashtrojnë ata që ushqehen me gënjeshtrat e tyre”.

Më tej ai sqaroi se “kam bërë kërkesë, në gjykatë kam shkuar. Rast unik në historinë e planetit për këtë çështje, dhe nuk i jam drejtuar instancave shtetërore pas ndryshimit të administratës.  Nuk i jam drejtuar, nuk u jam drejtuar para ndryshimit të administratës, ndonëse unë kisha njohje personale, duke filluar nga kreu i asaj administrate tek punonjës të tjerë. Por nuk e kam bërë atë. Kjo është e vërteta”.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›