Macron letër presidentes së re të Kosovës: Dialogu me Serbinë, i rëndësishëm! Të rifillohet përparimi në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi Justina Shiroka-Pulës me rastin e zgjedhjes së saj në postin e Presidentes së Kosovës.

Në letrën e tij, Macron shpreh urimet për zgjedhjen e saj dhe shpreson që mandati i ri të kontribuojë në përparimin e Kosovës drejt perspektivës evropiane, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Evropë.
Macron gjithashtu thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
Ai u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë angazhimet e marra në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
“Dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar kuadrin dhe Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. U takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e marra përsipër.”, thotë Macron.
LETRA E PLOTE:
Zonja Presidente,
Ju drejtoj të gjitha urimet e mia për zgjedhjen tuaj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Shpreh dëshirën që zgjedhja juaj të mundësojë rifillimin e përparimeve në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të vendit tuaj. Ju e njihni angazhimin tim për objektivin e ribashkimit të kontinentit evropian, i cili do të mundësojë garantimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Pata rastin ta ritheksoj këtë gjatë takimit tim me Kryeministrin, z. Kurti, në Paris, në muajin mars të këtij viti.
Franca është një partnere historike e Kosovës. Përgëzohem për vizitën e ministrit të deleguar për Evropën në vendin tuaj, e cila bëri të mundur, në muajin korrik, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve tona.
Së fundi, dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar kuadrin dhe Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. U takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e marra përsipër.
