Makina përplas motorrin, rëndë 29-vjeçarja
Lezhë- Një aksident rrugor është regjistruar pak më parë në qytetin e Lezhës, ku një makinë ka përplasur një motorçikletë me të cilin udhëtonin 4 pjesëtarë të një familjeje. Për pasojë, gruaja 29-vjeçare, nënë e dy fëmijë ka mbetur e plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë drejt Tiranës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë rrugore bëhet e ditur se ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Shën Kolli në Lezhë. Gjatë udhëtimit, një makinë tip Opel me targa greke ka goditur motorrin dhe drejtuesi i tij, Genc Copani ka humbur kontrollin.
Motorri, me të cilin udhëtonin bashkëshorti, gruaja 29-vjeçare, Zamira Copani dhe dy fëmijët 5 e 6-vjeç ka rënë përtokë. Nga rrëzimi më e dëmtuar ka mbetur gruaja, ndërkohë që tre të tjerët për fat kanë pësuar vetëm lëndime të lehta, e pa pasoja për jetën.
Gruaja është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po bën ekspertizën për të përcaktuar shkakun e aksidentin.