E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kur ta mbyllin derën, hyn nga dritarja"

Në një cep të një holli mbretëror, ku ambasada shqiptare ka vendosur të ftojë të gjithë miqtë e saj në Vjenë në Ditën e Pavarësisë, është ulur Eva Alikaj. Ka ndryshuar shumë që nga koha kur luante studenten e dashuruar në "Pallatin 176" apo në filmin "Treni niset në shtatë pa pesë". Kryeqyteti austriak, me gjithë bukurinë e tij, ka forcën të ndryshojë gjithkënd. Një fustan modern në trupin e imët, duket se e bën atë pak më të ndryshme se të ftuarit e tjerë, shqiptarë e austriakë, në këtë pasdite ku shandanët gjigandë shkëlqejnë nëpër pasqyrat në të cilat dikur kanë parë fytyrën e tyre monarkët. Është e vështirë të depërtosh në botën e artit, në një vend të huaj, aq më tepër të aktrimit, por Eva Alikaj ka ditë që është bërë një Lola Blau. Me një modesti jo të zakonshme për artistët ajo flet për angazhimin e saj…

Cila është pjesa artistike e aktiviteteve tuaja këtu në Vjenë?

Për momentin unë po vazhdoj përpjekjet për shfaqjen sot në mbrëmje "Lola Blau" të paktën këtu në Vjenë. Por edhe në çfarëdolloj qyteti tjetër në Austri do të ishte e mirëpritur.

Me tjetër gjë nuk po merrem, sepse qëllimi im është djali këtu.

Sa e vështirë është për një artist shqiptar të depërtojë në botën e artit këtu në Austri?

Është shumë e vështirë, edhe për artistët austriakë që janë këtu. Është një konkurrencë shumë e madhe, nuk mendoj se ka dallim nëse je shqiptar apo jo, por po të jesh i huaj, po të futesh në këtë kategori do të ishte shumë e vështirë. Më tha dikush sot që edhe në film gjendja ekonomike është shumë e vështirë, ka shkurtim të ardhurash.

Ndërkohë ju në Tiranë keni qenë aktore shumë e suksesshme, pse nuk ktheheni atje?

Para dy muajve unë isha në Shqipëri dhe në një bisedë që kam bërë me drejtorin e teatrit, ai më bëri një ftesë, si duket është pjesë e një projekti të Ministrisë së Kulturës, që ka të bëjë me rikthimin e artistëve shqiptarë që janë jashtë vendit. Ai më pyeti se "nëse do të të bënim një ftesë për të bërë një kontratë që çdo vit të kishit nga një rol, a do të ktheheshit?". Ata do të marrin përsipër ushqimin, rrugën, fjetjen dhe të gjitha gjërat.

Nuk ka hapësirë të mjaftueshme për artistët apo çfarë në Tiranë?

Nuk e kam idenë të them të drejtën, por edhe atje duhet të jetë e vështirë për të pasur role, por unë mendoj se kush do me gjithë fuqinë e shpirtit siç dua unë, atëherë e gjen një rrugë, siç është ajo shprehja: "Kur ta mbyllin derën, hyn nga dritarja". Vitin tjetër, ma merr mendja, përsëri do të jem në Shqipëri.

Do të ktheheni përfundimisht?

Varet nga mundësia, unë e kam bërë këtë kërkesë por e kuptoj edhe përgjigjen e tij që thotë se vendet janë të zëna. Siç duket janë një numër i caktuar aktorësh, me të drejtë aty, por nuk mund të shuaj dëshirën time për të qenë aty. Si do të zgjidhet nuk e di.

Gjatë kësaj periudhë që ju i keni munguar skenës shqiptare, kanë hyrë emra të tjerë, vlera të reja dhe të ndryshme janë ngjitur në skenë. Si e vlerësoni nivelin e teatrit tani?

Unë faktikisht nuk kam satelit, kam kabllo dhe nuk shikoj fare se çfarë bëhet në Tiranë.

A mendoni se aktrimi ka mbetur aty ku ka qenë?

Nuk e di. Të jem e sinqertë, ndonjë lulëzim të madh nuk ma merr mendja se do të ketë në këto kushte kur arti nuk financohet. Nuk ma merr mendja të ketë ndonjë shkëlqim jeta artistike, pavarësisht se ka aktorë shumë të mirë. Sa për aktorët nuk dëgjova se ka emra të rinj, dëgjova për Luiza Xhuvanin që luan shumë bukur, ka qenë e mirë dhe e tillë do të ishte natyrisht edhe pas 17 vjetësh, pra ka rritje në jetën artistike. Aktorë të tjerë nuk njoh, është edhe mbesa e Drita Pelingut, apo ndonjë tjetër.

Çfarë bën Eva Alikaj tjetër këtu në Vjenë, përveç këtyre shfaqjeve, si është jeta juaj?

E kam thënë edhe në mediat e tjera se jeta ime është më se e zakonshme për të mos thënë shumë e zakonshme. Marrëdhënia me djalin 15-vjeçar që dita ditës e më tepër komplikohet, pasi i duket vetja i rritur, pasi unë përpiqem t‘i jap atij vlera në të cilat besoj. Shkojmë ndonjë herë teatër, në opera.

Pasi shkoni në teatër, si ju duket teatri këtu në krahasim me Tiranën, padyshim e bëni krahasimin apo jo?

Në Tiranë nuk kam parë teatër tani. Por sa i përket atij që ka qenë natyrisht dallohen talentet sikurse dhe në Shqipëri, por në krahasim me Tiranën që ka talente plot, këtu është mirëqenia e mendoj se ky është një dallim esencial thelbësor për vepra artistike. Mundësia ekonomike është gjithçka. Kur shikojmë një ansambël nuk shikojmë 2 aktorë por 10 aktorë, dhe nga këta të 10 secili mbi ata ka një notë mbi 7 apo 8 jo të gjithë arrijnë dhjetën. Ka aktorë të klasit të parë këtu, ka një sërë faktorësh që i bën shfaqjet interesante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›