Malaj: Brenda dhjetorit u kthejmë tatimin e mbledhur profesionistëve të lirë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se brenda muajit dhjetor do të kthehet tatimi prej 15 % që u pagua gjatë periudhës janar-korrik nga profesionistët e lirë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber dhe Guvernatorin Gent Sejko, Malaj tha se vendimi pritet të miratohet në javën që vjen nga qeveria.
“Ndoqëm rrugën ligjore duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar se çfarë duhet të bënim me efektet që prodhoi ky ligj nga momenti kur hyri në fuqi deri në momentin që u shfuqizua. Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh për këtë, duke na lenë të nënkuptohej që efektet e prodhuara nga ky ligj ishin legjitime”, deklaroi ministri.
Por shtoi ai, ka një vullnet nga ana e qeverisë për të kthyer këto fonde mbrapsht.
“Brenda javës së ardhshme do të kemi lajm pozitiv për profesionistët e lirë. Besoj se brenda muajit dhjetor 2024 do të kthehen të gjitha fondet e marra nga profesionet e lira sikundër do të fshihen edhe detyrimet që janë regjistruar gjatë periudhës janar-korrik për sa kohë ishte ligji në fuqi”, tha ai.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi më 27 shkurt një padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkoi shfuqizimin e dy neneve që lidhen me taksimin progresiv të profesioneve të lira, parashikuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila depozitoi padinë në Gjykatën Kushtetuese, tatimi mbi profesionet e lira ishte i padrejtë dhe se prekte shtresën e mesme të popullsisë.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi më 27 qershor pjesërisht disa nene të ligjit për profesionet e lira, ndër të cilët taksimi me 15 %.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe këto kategori do të duhet të taksohen në 2029-ën si të gjitha bizneset e tjera të vogla.
“Tatimi 15% ndaj kësaj kategorie filloi të zbatohej menjëherë pa u dhënë kohë të përshtateshin. Norma 15% nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi vetë ligjvënësi e ka përjashtuar për kategoritë e tjera”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj pas shfuqizimit të neneve të ligjit. /j.p/