E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ekonomia shqiptare përfiton disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Nga sot, Shqipëria është pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)

Banka e Shqipërisë publikoi njoftimin zyrtar të Këshillit Evropian të Pagesave (KEP) pas miratimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike SEPA, ku thekson se “Shqipëria, nga sot, është pjesë e zonës gjeografike të skemave të pagesave SEPA.

Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta.

Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht ulet koha e kryerjes së pagesave, dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.

Në nivel kombëtar, ky anëtarësim nxit përfshirjen financiare, redukton përdorimin e parasë fizike, zgjeron produktet dhe shërbimet e pagesave dhe nxit zhvillimin e teknologjisë financiare.

Në nivel ndërkufitar, ky anëtarësim nxit ndërveprimin tregtar dhe lëvizjen e flukseve monetare me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së dhe krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.

Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj. Projeksionet vlerësojnë se në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA.

Shqipëria, nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë (BSh), është angazhuar në përpjekje të konsiderueshme për përafrimin e rregulloreve dhe sistemeve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian (BE), duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen zonës gjeografike SEPA, si parakusht për hyrjen në BE.

Si rezultat, të gjithë pjesëmarrësit ekzistues të skemës së Këshillit Evropian të Pagesave (KEP) do të mund të dërgojnë apo të marrin Transferta Krediti SEPA (SCT), Transferta Krediti të Shpejta (SCT Inst) dhe Debitime Direkte SEPA (SDD) nga dhe për pjesëmarrësit në skemat SCT, SCT Inst dhe SDD nga Shqipëria, kur institucionet e tyre financiare të aderojnë në këto skema.

“Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të KEP-it, do të mundësohet duke nisur nga muaji prill 2025, ndërsa KEP-i do të komunikojë në një moment të dytë datën e gatishmërisë operacionale (ORD) për ofruesit e shërbimeve të pagesave (OShP) që operojnë në Shqipëri”, citon njoftimi i publikuar nga BSH-ja.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se, “Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët  për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane.  Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së.”

Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i KEP-it, deklaroi se “Përfshirja e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA është një progres i mëtejshëm për KEP-in, në përputhje me misionin e tij për të harmonizuar dhe integruar pagesat elektronike në nivel evropian”.

Këshilli Evropian i Pagesave (KEP), është një shoqatë ndërkombëtare jofitimprurëse, e cila përfaqëson ofruesit e shërbimeve të pagesave, mbështet dhe nxit integrimin dhe zhvillimin evropian të pagesave, veçanërisht Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).

KEP-i është i angazhuar të kontribuojë për kryerjen e pagesave të sigurta, të besueshme, efikase, të përshtatshme, të balancuara ekonomikisht dhe të qëndrueshme, të cilat përmbushin nevojat e përdoruesve të shërbimeve të pagesave dhe mbështesin objektivat për rritjen e konkurrencës dhe të inovacionit në një ekonomi të integruar evropiane. Këshilli përmbush këtë objektiv nëpërmjet zhvillimit dhe administrimit të pagesave dhe skemave  të lidhura të pagesave gjithëpërfshirëse evropiane, si dhe nëpërmjet formulimit të qëndrimeve e propozimeve për çështje të lidhura me pagesat evropiane duke zhvilluar një dialog të vazhdueshëm me aktorë dhe rregullatorë të tjerë në nivel evropian dhe sipas një këndvështrimi strategjik dhe gjithëpërfshirës.

Detyra kryesore e KEP-it është të administrojë skemat e: Transferta Krediti SEPA (SEPA Credit Transfer), Debitime Direkte SEPA (SEPA Direct Debit), Kërkimi i Kundërpalës SEPA (SEPA Proxy Lookup), Kërkesë për të Paguar SEPA (SEPA Request-to-Pay), Akses në Llogarinë e Pagesës SEPA (SEPA Payment Account Access) dhe Transfertë e Njëanshme Krediti e Menjëhershme (One-Leg Out Instant Credit Transfer), në dialog të ngushtë me të gjithë aktorët. KEP-i është gjithashtu aktiv në fushat a pagesave që kryhen me kartë, pagesave që kryhen nëpërmjet telefonisë celulare, duke përfshirë pagesat Individ-me Individ, sigurinë e  pagesave si dhe paranë fizike.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›