E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Marrëveshja 47 milionë euro hua me KfW, rëndësi strategjike për sektorin e ujësjellës kanalizimeve

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas për programin ‘Infrastruktura Bashkiake V – faza II’”

Malaj u shpreh se kjo është një marrëveshje e cila ka të bëjë me zbatimin e një prej programeve më të rëndësishëm për investimet në sektorin e ujësjellës kanalizimeve në nivel kombëtar: Programi “Infrastruktura Bashkiake V”.

Ai theksoi se, bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe KfW është i kahershëm dhe me rëndësi të veçantë, nisur edhe nga portofoli i financimeve.

Deri tani, theksoi Malaj, “portofoli i investimeve nëpërmjet kredive llogaritet në rreth 1,1 miliardë euro (me 57 kredi të nënshkruara), ku rreth 35% e investimeve i përkasin sektorit të energjisë, rreth 38% furnizimit me ujë të pijshëm, rreth 15% mbështetjes buxhetore etj”.

Sipas të dhënave, shtoi ministri, “deri në fund të janarit 2026, vlera e kredive për projektet aktive të disbursuara nga kjo bankë llogaritet në rreth 432 milionë euro”.

Aktualisht, vijoi ai, “Ministria e Financave, së bashku edhe me agjencitë e tjera partnere është duke e rishikuar këtë portofol, me fokus indentifikimin e projekteve të reja strategjike dhe mbështetjen e vazhdueshme të zhvillimit ekonomik, si dhe infrastrukturor”.

Malja nënvizoi se, marrëveshja e huas prej 47 milionë euro ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe KfW për programin “Infrastruktura Bashkiake V – faza II”, ka një rëndësi strategjike për sektorin e ujësjellës kanalizimeve.

Programi, shtoi Malaj, “është gjithashtu pjesë e projekteve për arritjen e objektivave të Zhvillimit të Qëndrushëm (SDG 6 – Sigurimi i disponueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujësjellës kanalizimeve për të gjithë)”.

Ndaj, theksoi ministri, “ky nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, në zhvillimin ekonomik të rajoneve dhe në mbrojtjen e mjedisit”.

Ai u shpreh se, programi “Infrastruktura Bashkiake V” është konceptuar në dy faza.

“Faza e parë e projektit aktualisht është në zbatim dhe ka një vlerë totale prej 148,5 milionë eurosh, ku 80 milionë janë kredi dhe pjesa tjetër grant nga Bashkimi Europian, si dhe donatorë të tjerë. Investimet po realizohen në gjashtë qytete kryesore, si: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë”, tha Malaj.

Ndërsa, për fazën e dytë, nënvizoi ministri, “financimi i siguruar prej 50 milionë euro, përfshin: 47 milionë euro kredi nga KfW; 3 milionë euro grant i miratuar”.

Sa i takon kushteve të kredisë, Malaj u shpreh se, ajo ka maturim 15 vite, ku 5 vite janë pa pagesë të principalit, ndërsa norma e interesit është fikse 3,9%.

“Zbatimi i kësaj faze do të mbulojë qytetet Shkodër, Lezhë dhe Sarandë”, tha ai.

Ministri theksoi se, BE nëpërmjet instrumentit të WBIF do të akordojë për këtë program një grant shtesë për investime në vlerën prej 36,96 milionë euro, të dedikuar për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Lezhë dhe Sarandë, duke mbuluar 70% të vlerës së investimeve përkatëse.

Pra, theksoi ai, “kemi të bëjmë me një strukturë financiare, ku komponenti grant është i konsiderueshëm dhe ul ndjeshëm barrën financiare për buxhetin e shtetit”.

Malja u shpreh se, projekti që po zbatohet, do të sjellë një sërë përfitimesh konkrete për të gjitha rajonet ku do të shtrihet, duke siguruar së pari, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

“Mbi gjysma e popullsisë urbane do të ketë akses në furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me ujë. Kjo do të thotë më pak ndërprerje, më pak humbje në rrjet dhe cilësi më e lartë shërbimi”, tha ai.

Së dyti, theksoi ministri, ky projekt siguron përmirësim të ndjeshëm të kushteve sanitare.

“Në Lezhë dhe zonat përreth, investimet në kanalizime dhe drenazh do të reduktojnë përmbytjet urbane dhe do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës për qytetarët dhe bizneset”, tha ai.

Së treti, u shpreh Malaj, sigurohet mbrojtje e mjedisit dhe e turizmit.

“Në zonat bregdetare, veçanërisht në Sarandë, rehabilitimi dhe ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të ndotura do të reduktojë ndotjen dhe do të mbrojë pasuritë tona natyrore. Përmirësimi i shkarkimeve në lumenj si Drini, Buna dhe Osumi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekosistem dhe në zhvillimin ekonomik lokal”, tha ai.

Së katërti, vijoi ministri, sigurohet mbështetje për zhvillimin ekonomik rajonal.

“Infrastruktura e qëndrueshme e ujit mbetet një kusht themelor për investimet private, zhvillimin e turizmit, për zgjerimin e aktiviteteve prodhuese, si dhe për rritjen e punësimit në nivel vendor”, tha Malaj.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›