E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJERMANI - Numri i azilkërkuesve të rinj bie me 35%, niveli më i ulët që nga tetori i 2011-ës - ATSH -

BERLIN, 4 nëntor /ATSH-AA/ – Gjermania ka regjistruar 5.707 azilkërkues të rinj në muajin tetor, rreth 35 për qind më pak krahasuar me një vit më parë dhe shifra më e ulët për këtë muaj që nga viti 2011.

Sipas raportit nga gazeta Bild, e cila i kishte siguruar të dhënat nga Ministria Federale e Brendshme, shifra ka rënë nga 8.823 në tetor të vitit 2025 dhe 19.785 në tetor të vitit 2024.

Numri i fundit më i ulët i azilkërkuesve për muajin tetor ishte regjistruar në vitin 2011, kur Gjermania kishte shënuar 4.106 azilkërkues të rinj.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, përshëndeti rënien e numrit dhe u zotua që ky trend rënës të bëhet i përhershëm.

“Ne po arrijmë me sukses të frenojmë migracionin e paligjshëm. Tani çështja është që ky zhvillim të sigurohet në mënyrë të qëndrueshme. Ne po rregullojmë, menaxhojmë dhe kontrollojmë në mënyrë të vazhdueshme migracionin e paligjshëm, me një qëndrim të qartë, në Gjermani dhe së bashku me partnerët tanë në nivel evropian”, tha Dobrindt.

Gjermania ka mbajtur kontrolle kufitare me të nëntë vendet fqinje që nga shtatori i vitit 2024, kur këto masa u vendosën nga paraardhësja e Dobrindtit, Nancy Faeser.

Sipas raportimit, praktika e kthimit mbrapsht të azilkërkuesve në kufi ka shkaktuar kritika të gjera.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›