Subvencione për bletarinë, Denaj: Aplikimet deri më 30 maj

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, bletaria mbështetet në vlerën 1000 lekë për zgjua dhe bletarët e bashkuar në një grupim fermerësh, përfitojnë të parët 100% financimin duke marrë secili prej tyre në llogari të veçantë masën e subvencionuar në nivelin maksimal.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ftoi bletarët të aplikojnë online, në portalin e-Albania, deri më 30 maj 2025.
“Mbështetja e sektorit të bletarisë shkon në funksion të rritjes së numrit të fermave, konkurrueshmërisë dhe promovimit e mbrojtjes së produkteve të bletarisë në vendin tonë”, tha ajo.
Denaj ndau në rrjete sociale, rastin e Alban Hysës, fermerit që mbarështon rreth 400 koshere bletë në Shëngjergj dhe është përfitues në masën 100% i Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2024.
“Mjaltin e prodhuar ai e dërgon në tregun vendas, duke kontribuar në fuqizimin e ekonomisë familjare”, tha Denaj.
Ndërsa Albani tregoi se, është përfitues i Skemës Kombëtare për masën e mbështetjes në bletari për tri vite me radhë.
“Pjesën më të madhe të prodhimit të mjaltit, arrij ta shes direkt nga ferma pasi kam krijuar klientelë, që sa vjen e shtohet. Ndaj për mua nuk është problem tregu. Synoj të shtoj prodhimin dhe të rris cilësinë në fermën time”, tha ai.
Bletaria është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, e cila ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në vitet e fundit.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vitet e fundit ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes.
Sot numërohen rreth 500,000 zgjoje bletësh në të gjithë vendin, ku vetëm në 10 vitet e fundit numri i zgjojeve është rritur me 64 %, duke ndikuar ndjeshëm në nivelin e prodhimit të mjaltit për tregun dhe për eksport. /j.p/