Maratona në Pogradec, Policia plan masash për garantimin e sigurisë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Policia e Korçës ka publikuar sot planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të Maratonës Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ditën e nesërme në qytetin e Pogradecit.
Policia njofton se më datë 26.07.2025, në orën 19:00, në qytetin e Pogradecit, shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, do të organizojnë një aktivitet sportiv maratonë, në kuadër të pjesëmarrjes në Maratona Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
Ky aktivitet përfshin dy disiplina garuese:
Half maratonë (21 km): nisja nga fshati Lin, përgjatë aksit rrugor buzë liqenit, dhe përfundon në qendër të qytetit të Pogradecit;
Mini maratonë (10 km): nisja nga qendra e qytetit, përgjatë aksit Pogradec – Buçimas – Tushemisht, dhe kthim në pikën e nisjes, në qendër të qytetit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.
Sipas Policisë, “për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masat e nevojshme për: ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; garantimin e sigurisë rrugore dhe të garuesve; menaxhimin e qarkullimit dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore”.
Si rezultat i kësaj, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit:
Në aksin “Lin- Pogradec”, do të bllokohet krahu i majtë i rrugës;
Në aksin “Tushemisht – Pogradec”, do të bllokohen të dy korsitë;
Gjithashtu, do të bllokohen përkohësisht edhe disa segmente brenda qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e aktivitetit.
Orari i bllokimit: nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës për këto masa të përkohshme dhe ju falënderon për bashkëpunimin në funksion të zhvillimit të sigurt të këtij aktiviteti sportiv ndërkombëtar.
/e.i/j.p/