Marina e Iranit goditet nga sanksionet e BE-së për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Bashkimi Europian ka përdorur për herë të parë regjimin e ri të sanksioneve për lirinë e lundrimit, duke shënjestruar Iranin për shkak të kërcënimeve ndaj trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit. Sipas vendimit të BE-së, Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGCN) ka marrë kontrollin e ngushticës dhe ka zbatuar një sistem pagese për anijet që lejohen të kalojnë.
Sanksionet synojnë komandantët lokalë të marinës iraniane, të akuzuar për vendosjen e një bllokade që kontrollon anijet dhe përcakton kalimin e tyre vetëm pas pagesës së tarifave.
“Marina e IRGC-së minon lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duke zbatuar një sistem pagese dhe duke kërcënuar, ngacmuar dhe sulmuar anije të shumta tregtare në rajon,” – thuhet në deklaratën e Këshillit të BE-së.
Mohammad Akbarzadeh, një komandant lokal, është sanksionuar me ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi për kërcënimin “për të përdorur raketa ose dronë kundër anijeve që kalojnë ngushticën”. Ndërkohë, Hamid Hosseini, përfaqësues i Unionit të Eksportuesve të Naftës, Gazit dhe Produkteve Petrokimike të Iranit, është sanksionuar për promovimin e politikës së taksave.
Shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi pas takimit të ministrave evropianë të mbrojtjes në Qipro:
“Ministrat ishin të qartë sot se veprimet e Iranit janë të papranueshme. Në përgjigje, shtetet anëtare të BE-së miratuan sot në Bruksel sanksione kundër individëve dhe subjekteve iraniane të përfshira në ndërprerjen e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit.”
Kallas theksoi se është hera e parë që BE-ja ka zbatuar regjimin e ri të sanksioneve për lirinë e lundrimit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e trafikut detar ndërkombëtar.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më strategjike në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë. Kufizimet iraniane mbi transportin detar, të intensifikuara pas tensioneve me SHBA-në, Izraelin dhe aktorët rajonalë, kanë shkaktuar tronditje energjetike në ekonomitë e BE-së.
Në maj, BE-ja vendosi të zgjerojë regjimin e sanksioneve për të synuar individët dhe entitetet që pengojnë tranzitin e ligjshëm dhe lirinë e lundrimit në këtë rrugë ujore strategjike.
Ky vendim i BE-së pritet të rrisë presionin ndaj Iranit, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe ndikimi mbi tregjet energjetike europiane është i ndjeshëm.
/rtsh.al/