E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marrëveshja me “Fincantieri”, Rama: 500 vende të reja pune në kantierin e Pashalimanit

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në shënimet e javës bëri një përmbledhje të zhvillimeve dhe vendimeve kryesore të qeverisë, duke u ndalur te partneriteti mes kompanisë italiane “Fincantieri” dhe kompanisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, “Kayo”, të cilin e cilësoi një hap të rëndësishëm për fuqizimin e mbrojtjes dhe ringritjen e industrisë ushtarake në vend.

Sipas Ramës, partneriteti është zgjeruar edhe me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë, me synimin për të përgatitur stafin që do të punojë në kantierin e ri detar të Pashalimanit.

Rama theksoi se baza e re prodhuese do të krijojë rreth 500 vende të reja pune për teknikë, inxhinierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Për këtë arsye, paralelisht me ndërtimin e kantierit, do të nisë edhe procesi i trajnimit të të rinjve që do të përzgjidhen nga “Fincantieri Albania”.

“Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave tona të Armatosura. Kapitulli i ri është jo vetëm fuqizimi i gjithë sistemit tonë të mbrojtjes, por edhe rilindja e industrisë sonë ushtarake. Për këtë janë hedhur një sërë hapash dhe këtë javë u hodh një tjetër hap. Partneriteti me Fincantierin u shtri në një partneritet edhe me shkollën industriale “Pavarësia” të Vlorës, pasi në kantierin e ri të Pashalimanit, baza e re prodhuese do të kërkojë 500 të reja e të rinj, teknikë, inxhinierë dhe informaticienë. Për këtë arsye është bërë kjo marrëveshje dhe do të fillojë, paralelisht me ndërtimin e kantierit, edhe puna për trajnimin e të rejave dhe të rinjve që do të përzgjidhen nga “Fincantieri Albania””, tha Rama.

Sipas Ramës, ata do të trajnohen si në Pashaliman, edhe në kantierin mëmë të kompanisë globale të ekselencës italiane në brigjet e Italisë.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›