E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mazniku: Portali “Paketa e Maleve.gov”, nga nesër aktiv për aplikime

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku njoftoi se, nga nesër (12 korrik) do të jetë aktiv portali “Paketa e Maleve.gov”, që krahas informimit për kriteret, dokumentet dhe lehtësitë fiskale, mundëson edhe aplikimet për shprehje interesi nga ana e qytetarëve dhe bizneseve që duan të investojnë për zhvillimin e ekonomisë së zonës.

I pranishëm në takimin që zhvilloi kryeministri Edi Rama, me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Mazniku tha se, “hapi i parë në zbatim të Paketës së Maleve, është se çdo bashki duhet të ngrejë një grup pune me pesë anëtarë që duhet të përcaktojnë zonat me prioritet zhvillimi në territorin e bashkisë”.

Mazniku shpjegoi se, pas analizës së thelluar bëhet shpallja e zonës për zhvillim, me vendim të Këshillit të Ministrave, që jep fillimin esencial të zbatimit specifik në territor të Paketës së Maleve, ndërsa njoftoi se tashmë ka dalë udhëzimi që përcakton kriteret dhe dokumentacionin për identifikimin e zonave me prioritet zhvillimi në territorin e bashkive, në kuadër të kësaj pakete.

Sipas ministrit, interesi për zbatimin e Paketës së Maleve është i madh dhe ka bashki që e kanë nisur këtë proces për përcaktimin e zonave me potencial zhvillimi.

“Sa më shpejt të vijnë propozimet nga ana e bashkive, aq më shpejt mund të kalohen propozimet në Këshillin e Ministrave dhe të fillojë zbatimi”, u shpreh Mazniku, ndërsa bëri të ditur se, nga Paketa e Maleve qeveria pret një ofertë turistike edhe më të larmishme, në  agroturizme apo investime të tjera që nxisin ekonominë lokale.

Paketa e Maleve, nëpërmjet mbështetjes me dy instrumente: ligjor dhe financiar, synon të nxisë investimet në zonat rurale malore nga të gjithë ata që përmbushin kushtet e nevojshme.

Qeveria ka parashikuar që 500 aplikimet e para do të jenë pa taksa, ndërsa synohet që një pjesë e emigrantëve të kthehen në vend për të përfituar nga nisma.

/e.xh//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›