Goxhobelli: Objektiv i ASHK-së, të përfundohet legalizimi për 13 bashki brenda dhjetorit

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Në Durrës u zhvillua sot takimi ndërmjet kryetarëve të bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030″ në Bashkimin Evropian, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Drejtoresha e Kadastrës Lorena Goxhobelli në fjalën e saj u ndal te legalizimet dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor për lehtësimin e procesit.
Goxhobelli theksoi se objektiv i Kadastrës është që “brenda dhjetorit të 2025-s të mund të përfundojmë legalizimin për 13 bashki”
Sipas saj, në 6-mujorin e parë është kaluar totalin vjetor të dy viteve më parë, duke u marrë 11 388 vendime dhe me ritmin aktual projeksioni për vitin 2025 është të arrijmë në mbi 25 000 vendime të emetuara”.
“Konkretisht në Dibër, Bulqizë, Mat, Klos, Kukës, Has, Tropojë, Pogradec, Gjirokastër Libohovë, Përmet, Këlcyrë, Dropull. Volumi i punës është 8851 dosje për t’u trajtuar. Ky është një numër që mund të vijë në rritje, pasi mund të evidentohen edhe ndërtime të reja informale të cilat do të na duhet që t’ia shtojmë procesit dhe do të jenë pjesë e trajtimit”, tha Goxhobelli.
Sa i takon përfundimit të legalizimeve në të gjithë Shqipërinë, objektiv është dhjetori i vitit 2028. Ajo po ashtu theksoi se digjitalizimi i hartave kadastrale përfundon në dhjetor të vitit 2026 dhe është një proces që nuk pengon procesin e legalizimit.
“Ndërsa për të gjithë pjesën tjetër të bashkive, patjetër që kemi një afat ligjor, që është dhjetori 2028 për të përfunduar legalizimin. Është afat ambicioz pasi volumi i punës është i madh. Ne llogarisim që të kemi nga 160-200 mijë dosje për t’u trajtuar”, tha Goxhobelli.
Goxhobelli tha se “bashkëpunimi me bashkitë është materializuar në dhjetor të 2024-s”.
“Në këtë periudhë kemi arritur të emetojmë 13 076 vendime nga të cilat 22% e këtyre vendime mund të themi se janë frut i bashkëpunimit ASHK-Bashki”, tha drejtoresha e Kadastrës.
Goxhobelli listoi edhe një sërë problematikash të bashkëpunimit mes ASHK-së dhe bashkive.
“Mungesa e njohurive teknike të stafit të angazhuar, shpesh herë përfshirja është jokonsistente, koordinim i pamjaftueshëm nëpërmjet strukturave të ASHK-së dhe bashkive dhe në plot raste bashkitë janë inekzistente në proces, duke e neglizhuar. Procesi i legalizimit nis me matjet në terren, por ka disa hapa të tjerë teknikë dhe ligjorë. Bashkitë janë të përfshira në matjet në terren, do të preferonim që bashkitë të përfshiheshin më shumë në këtë proces.
“Stafi i angazhuar që propozohet nga ana e bashkive dhe rekrutohet nga ASHK-ja është që të ketë teknikë që i shërbejnë procesit, si inxhinierë, gjeodetë, topografë dhe jo financierë apo ekonomistë, pasi produkti i tyre është minimal. Në bashkinë Vlorë janë 7 persona, por asnjeri nuk është gjeodet apo topograf dhe kontributi është minimal”, tha Goxhobelli.
Nga të dhënat e publikuara nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, referuar ASHK-së, rezultoi se bashkia e Gjirokastrës kishte 0 matje. Goxhobelli theksoi se bashkitë duhet të angazhohen pasi është një volum shumë i lartë dosjesh.
“Raporti i matjeve me vendimet e emetuara është gjithmonë një raport jo i drejtë pra nuk do të thotë se janë bërë 492 matje dhe këto 492 matje përkthehen në vendime. Në rastin e bashkive ka qenë edhe më i lartë kjo lloj firoje, sepse një pjesë nuk është koordinuar me strukturat tona. Është dalë në terren, janë bërë matje shpesh herë matjet janë bërë edhe në objekte që ishin pra kishin në vendim legalizimi, janë përpiluar skica fushore që nuk plotësojnë parametrat e nevojshëm dhe i është dashur grupeve të ASHK-së, qoftë me grupe të përbashkëta qoftë vet të dalin në terren dhe të bëjnë matjet. Duhet një koordinim i mirë në mënyrë që mos të shpenzojmë burime qoftë ju, qoftë ne. Duhet të vendoset në prioritete tuaja ditore pasi koha është e shkurtër dhe volumi shumë i lartë”, tha Goxhobelli.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha se bashkia e Gjirokastrës ka kryer 52 matje.
“52 matje të bëra nga bashkia Gjirokastër i kam në dosje. Me drejtuesin e ri po ecin gjërat kohët e fundit. Dhe këto 52 dosje besoj shumë shpejt do t’i evidentojnë dhe kalojnë në proces legalizimi. Janë 52 dosje të kaluar nga stafi i bashkisë Gjirokastër”, shpreh Golemi.
Drejtoresha e ASHK-së, Goxhobelli thekoi se bashkia Gjirokastër është një nga ato bashki që nuk është angazhuar në këtë proces.
“Shifrat mund të lëvizin, nga 0 në 52 nuk besoj se lëvizin. Ka pasur vështirësi në mbajtjen e rekordeve të rregullat e para se shpesh herë komunikimet janë bërë verbale. Ju sillni një listë me disa skica të cilat nuk vlejnë dhe ne dalim në terren përsëri dhe ky komunikim bëhet verbalisht dhe nuk i kemi rekordet. Di që Gjirokastra është një nga ato bashki që nuk është e angazhuar në proces”, tha Goxhobelli
/m.q//r.e//a.f/