E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sejko takon misionin e FMN: Ekonomia shqiptare po rritet me ritme të qëndrueshme

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë.

Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase, ku theksoi se aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta dhe kushtet e financimit mbeten akomoduese.

Gjithashtu, Guvernatori theksoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria e tij karakterizohet nga qëndrueshmëria e shprehur në nivelin e lartë të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përmirësimit të cilësisë së aktiveve.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vuri theksin në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase të tilla si sfida nga mjedisi i jashtëm, rritja e barrierave tregtare, pasiguritë mbi drejtimin e politikave ekonomike e tregtare, si dhe intensifikimi i konflikteve gjeopolitike që krijojnë një mjedis me pasiguri të lartë duke kërkuar vëmendjen e nevojshme dhe fleksibilitet për të reaguar në mënyrë efektive.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën mbështetjen e tyre për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Gjithashtu, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë e vijimit të regjimit të kursit të lirë të këmbimit, duke nënvizuar se ky regjim ofron një instrument mjaft të dobishëm në amortizimin e goditjeve të huaja dhe është përqasja më e mirë në procesin e konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian.

Së fundi, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë primare që një bankë qendrore e pavarur, profesionale dhe transparente, ka për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, si parakushte për një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit, duke nënvizuar se kjo pavarësi është, gjithashtu, edhe një kriter primar i ruajtjes së besimit të investitorëve vendas e të huaj në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë. Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë që do të ketë për vendin zbatimi i një programi të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), puna për të cilin do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›