E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbahet në Tiranë takimi i 20-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Peleshi: Anëtarësimi në BE është objektiv strategjik

Mbahet sot në Tiranë takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian.

Ky forum i përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian shërben si platformë për vlerësimin e reformave dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Takimi u hap nga bashkëkryetarët Taulant Balla, Kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe Marco Tarquinio, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, theksoi përkushtimin e institucioneve shqiptare ndaj procesit të integrimit evropian dhe rolin kyç të Kuvendit në këtë rrugëtim.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë. Synimi ynë është që të përfundojmë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe t’i bashkohemi zyrtarisht Bashkimit Evropian deri në vitin 2030,” deklaroi Peleshi.

Ai vuri në dukje se ky proces është i mbështetur gjerësisht nga qytetarët, duke theksuar se “Ky është qëllimi jo vetëm i qeverisë, por edhe i një shumice të konsiderueshme të popullsisë shqiptare, me 91% të shqiptarëve që kanë shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin në BE.”

Peleshi e cilësoi integrimin si një projekt kombëtar që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile. “Ne e dimë që anëtarësimi përfshin dhe i përket Shqipërisë dhe të gjithë forcave politike, të gjithë institucioneve publike, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile. Ky nuk është një proces që mund të udhëhiqet nga një parti politike apo një pjesë e popullsisë. Shoqëria, në të gjithë komponentët e saj, duhet përfshirë në këtë proces,” u shpreh ai.

Duke vlerësuar rolin e Kuvendit si institucion që garanton gjithëpërfshirje dhe legjitimitet demokratik, Peleshi tha se “Parlamenti është forumi që bën bashkë qeverinë dhe partitë opozitare, ndaj garanton që procesi të mos formësohet vetëm nga shumica qeverisëse, por edhe nga të gjithë zërat që përfaqësojnë shoqërinë tonë. Kuvendi do të vijojë të udhëheqë procesin e integrimit, duke synuar garantimin e legjitimitetit demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit.”

Ai nënvizoi nevojën për mbikëqyrje të shtuar institucionale dhe përfshirjen aktive të komisioneve parlamentare, duke theksuar përballimin me sukses të sfidave të negociatave kërkon një rol mbikëqyrës të shtuar të Kuvendit, përfshi angazhimin aktiv të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian.

Në vijim, Peleshi theksoi rolin e Kuvendit në Kapitullin 1 “Themeloret”, duke përmendur hapat konkretë të ndërmarrë.

“Me nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit, Institucionet e Pavarura po raportojnë në seancë plenare; janë depozituar tre nisma ligjore: Projektligji ‘Për Barazinë Gjinore’, Projektligji ‘Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit’, dhe ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit.”

Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit vuri theksin te rëndësia e transparencës dhe komunikimit me publikun. “Garantimi i mirë-informimit të qytetarëve jo vetëm forcon legjitimitetin demokratik të procesit, por edhe nxit një mbështetje më të gjerë të shoqërisë. Kuvendi do të luajë një rol thelbësor në krijimin e besimit. Vëmendja e shtuar për komunikim të hapur do të garantojë që publiku të jetë i angazhuar dhe mbështetës ndaj hapave që po ndërmerren drejt anëtarësimit të plotë në BE.”

Ai e përfundoi fjalimin duke theksuar nevojën për rritjen e kapaciteteve institucionale.

Sipas tij, me zgjerimin e ekipit të profesionistëve të kualifikuar, do të forcohet aftësia e Kuvendit për të përballuar sfidat e reja, për të marrë vendime të mirëinformuara dhe për të lehtësuar një proces më efikas e më efektiv të integrimit në Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›