Stabilizim-Asociimi Shqipëri–BE, Balla: Reforma Zgjedhore dhe Territoriale, gurë themeli për rrugën drejt BE-së

Po zhvillohet sot në Tiranë takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, një forum i përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian për vlerësimin e reformave dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit në BE.
Takimi u hap nga bashkëkryetarët Taulant Balla, Kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe Marco Tarquinio, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.
Të pranishëm ishin Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe Ambasadori i Polonisë Wojciech Unolt, në emër të Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së.
Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari i Komitetit, z. Taulant Balla, ndau reflektimin e tij mbi rrugëtimin e gjatë të këtij mekanizmi duke theksuar se “Një komunitet që kam pasur fatin të jem i pranishëm në 18 nga 20 takime të zhvilluara, me shpresën që do ta bashkëdrejtoj deri në ditën kur nuk do të jetë më ky komunitet sepse Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.”
Ai nënvizoi zhvillimet e fundit në Kuvend si shembull të frymës evropiane, duke kujtuar se, “Jo më larg se dje në Kuvendin e Shqipërisë kemi miratuar me konsensus të plotë ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe për ngritjen e një komisioni tjetër të posaçëm për Reformën Territoriale.”
Balla vuri në dukje se Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale kanë një rëndësi thelbësore në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të qeverisjes, garantimin e përfaqësimit të drejtë politik dhe rritjen e efikasitetit të administratës publike. Në përmbyllje, ai theksoi se roli i Komitetit nuk është thjesht teknik, por përfaqëson një garanci politike për ruajtjen e ritmit të reformave, për përafrimin e legjislacionit me atë evropian dhe për forcimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet palëve.
Duke u ndalur në ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, Balla shtoi se “Jemi në një moment të rëndësishëm të rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dua që në këtë takim të nënvizoj një fakt dhe një premisë pozitive: jo më larg se dje në Kuvendin e Shqipërisë kemi miratuar me konsensus të plotë ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe për ngritjen e një komisioni tjetër të posaçëm për Reformën Territoriale.”
Ai riktheu vëmendjen te rëndësia e këtyre reformave duke shtuar se, “Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale janë thelbësore për kapitujt themelorë të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në standardet e mirëqeverisjes, përfaqësimin e drejtë politik dhe efikasitetin e administratës publike.”
Më tej, Balla theksoi rëndësinë e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, duke e cilësuar si një urë të qëndrueshme komunikimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian.
Ai nënvizoi se puna e këtij Komiteti duhet të zhvillohet në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke shërbyer si një platformë e besueshme për shkëmbimin institucional dhe politik.
Duke e përforcuar këtë ide, Balla rikujtoi se ky mekanizëm nuk është thjesht teknik, por përfaqëson një garanci politike për vijimësinë e reformave, harmonizimin e legjislacionit me atë evropian dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet palëve.
Në përmbyllje, Balla theksoi progresin konkret të Shqipërisë në procesin e negociatave, “Tre vite pas hapjes zyrtare të negociatave, Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar të procesit të saj integrues. Në më pak se një vit, vendi ka hapur 5 nga 6 Grup Kapitujt e negociatave, duke përfshirë ato grupimet më themelore ku spikasin shteti i së drejtës dhe tregu i brendshëm.”
/rtsh.al/