Zgjedhjet në Himarë, Berisha: Mosvotimi i qytetarëve me karta të skaduara, akt antikushtetues

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar për zgjedhjet e pjesshme vendore që po mbahen në Himarë, duke e konsideruar si akt antikushtetues përjashtimin nga votimi të qindra qytetarëve, për shkak të skandencës së mjeteve të identifikimit.
Sipas Berishës, ky është një akt i paprecedentë, ndërsa shtoi se mazhoranca ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga kryeministri.
Berisha ka theksuar gjithashtu se në zgjedhjet e 14 majit, ku tha se ky standard nuk u zbatua në atë kohë dhe në ligjet e vendit edhe pas lëshimit të kartave biometrike në mungesë të saj, janë pranuar edhe letërnjoftimet e vjetra që vërtetonin plotësisht identitetin e personit.
“Përjashtimi nga votimi i qindra e qindra qytetarëve të Himarës, një akt antikushtetues. Të dashur miq, me urdhër te Edi Ramës sot nuk u lejuan të votojnë për shkak të datës së kartave të identitetit, qindra qytetarë të identifikuar kryesisht mbështetës të opozitës.
Ky është një akt i pa precedent, një krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga Edvin Gjipea. Sqaroj këtu qytetarët se ky standard nuk u zbatua në zgjedhjet e 14 Majit dhe në ligjet e vendit edhe pas lëshimit të kartave biometrike në mungesë të saj, janë pranuar edhe letërnjoftimet e vjetra që vërtetonin plotësisht identitetin e personit.
Përjashtimi i qindra zgjedhësve nga e drejta e votimit, ndryshimi i qëllimshëm dhe i programuar i qendrave të votimit të qindra qytetarëve, shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga Dropulli, Saranda apo pasunarëve të vilave turistike të bregut janë veprime mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë direkt Edi Ramën dhe Vangjel Tavon për krim të shëmtuar elektoral. Partia Demokratikë dënon me forcën më të madhe këto akte të rënda antikushtetuese të Edi Gjipes dhe kukullës së tij Vangjel Tavo dhe i garanton se drejtësia vonon, por nuk harron”, thuhet në reagimin e Berishës.
/rtsh.al/