S’lejohen të votojnë me karta të skaduara, Celibashi: Qytetarët dhe partitë të merrnin masa

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka deklaruar se qytetarët duhet të kishin marrë masa për të pasur një mjet identifikimi të vlefshëm për të votuar në zgjedhjet e pjesshme në Himarë, ndryshe nga sa ka ndodhur me disa prej tyre që nuk votojnë dot për shkak se karta e tyre ka skaduar.
Në një prononcim për mediat nga ambientet e KQZ-së, Celibashi tha se nuk mund të shpjegojë faktin që qeveria nuk ka nxjerrë një vendim për shtyrjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit apo pasaportave.
Për këtë arsye, sipas tij, qytetarët duhet të kishin marrë masa më parë për të pasur një mjet identifikimi me vete në mënyrë që ushtronin të drejtën e votës. Po ashtu, sipas Celibashit edhe partitë politike duhet të kujdeseshin në këtë drejtim.
“Se pse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave nëpërmjet një akti normativ këtë nuk mund ta them. E kemi bërë këtë komunikim me partitë politike sa herë ka pasur një çështje, nuk e kemi pasur një komunikim të tillë zyrtar nga partitë politike. E kemi në mënyrë informale ditët e fundit për hir së të vërtetës, por në fund të fundit mbetet një çështje që është jashtë sferës së përgatitjes dhe institucionit të vëmendjes që duhet të ketë KQZ. Sot nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë apo Ministrisë së Brendshme se nuk është se do të kishte ndonjë zgjidhje ditën e sotme. Kjo çështje duhet të ishte zgjidhur më parë. Nuk hezitojmë të themi që është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve për të disponuar një dokument identifikimit”, u shpreh Celibashi.
Sa i përket problematikave përveç asaj të mjeteve të identifikimit, Celibashi u shpreh se ka patur raportime se në një qendër votimi kanë hyrë persona të paautorizuar, ndërsa në Lukovë nuk janë lejuar përfaqësues të mediave të hynë në ambientet e Qendrave të Votimit.
“Në përgjithësi procesi ka shkuar qetë. Ka patur raste që janë evidentuar problematikë. Në një qendër votimi ka patur persona të paautorizuar dhe është pretenduar se mbanin shënim votuesit. Është ndërhyrë dhe është zgjidhur.
Në Lukovë përfaqësues të mediave nuk janë lejuar përfaqësues të medias të filmonin. Nëse ndonjë nga anëtarët nuk ndihet komod me këtë, të largohen”, tha ai.
Sa i përket gjuhës së përdorur nga komisionerët, ku është denoncuar se po flasin greqisht, Celibashi tha se komunikimi shqip në institucionet publike shqiptare është detyrim ligjor.
“Komunikimi në institucionet publike shqiptare, ka detyrim të përdorë gjuhën shqipe. Këtë gjuhë duhet ta ndërtojmë në komunikim zyrtar dhe votuesit”, tha kreu i KQZ.
/rtsh.al/