Dule: Në Himarë, kufoma e zgjedhjeve të lira. 6.157 zgjedhësve iu privua votimi

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, hodhi akuza të dielën për procesin zgjedhor në Himarë.
Kandidati për kryebashkiak, Petro Gjikuria, u ftua nga vetë PBDNJ-ja për të përfaqësuar opozitën, por z. Dule tha se gara ndaj tij ka qenë e padrejtë.
“Ditën e sotme është vënë re prania intensive e qytetarëve me precedentë penale, disa subjekt të SPAK-ut, të cilën shfaqen në qendrat e votimit nën shoqërinë e kryetarit të bashkisë së Konispolit dhe Vlorës.
Për të gjitha denoncimet, si nga komisionerët që i përkasin opozitës, edhe nga institucioni i Komisionit Zonal Zgjedhor, Policia e Shtetit nuk ka reaguar në asnjë rast.
Duhet që precedentët e kaluar të na shërbejnë të gjithëve për të nxjerrë mësim. Makinerisë manipulative të z. [Edi] Rama nuk i duhet asnjëherë terren bosh. Ne e kemi fituar votën e qytetarëve të Himarës. Ne do t’ia bëjmë autopsinë këtu në Himarë asaj që e quajmë kufomë të zgjedhjeve të lira në Shqipëri,” u shpreh z. Dule.
Ai akuzoi se qytetarët pro opozitës nuk janë lejuar të votojnë për shkak të letërnjoftimeve apo pasaportave të skaduara.
“Plot 6.157 zgjedhësve u privohet e drejta kushtetuese me mosnxjerrjen e vendimit përkatës nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që u ka kaluar data e skadencës. Sipas të dhënave tona, mbi 600 qytetarë janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar pjesëmarrja në procesin zgjedhor,” tha z. Dule.
Himara shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi kryetari i zgjedhur, Fredi Beleri, nuk e gëzoi dot fitoren në garën e kaluar elektorale si pasojë e arrestit për shkelje zgjedhore.
Sipas z. Dule, eurodeputeti Beleri vazhdon të jetë kryetar për të.
“Himara nesër do të gdhihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i kryetarit të zgjedhur të bashkisë, Fredi Beleri, nuk është ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë. Në KAS duhet gjykuar ankimi i PBDNJ-së dhe ai i z. Beleri,” u shpreh kryetari i PBDNJ-së.
/rtsh.al/