“Mbështetje fermerëve”, Berisha: Stop pesticideve kancerogjene. Grumbulluesit nuk do të përcaktojnë çmimin

Kryetari i PD Sali Berisha nga Dimali deklaroi se qeveria e Partisë Demokratike do të marrë çdo masë për te garantuar fermerët se prodhimet e tyre janë ne përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Gjate një takimi me banorët, Berisha sqaroi se pas 11 majit do të ndalohet importi i imputeve bujqësore që nuk shiten në BE.
“Dhe çdo import i tillë do shpallet krim i rëndë. Nuk ka pse të vijnë pesticide kancoregjene dhe t’ua prishin prodhimet ju. Këto i bën mafia, nuk i bën tregtari i ndershëm. I pari që do kapet duke shitur imputo që nuk shiten në dy vende të BE, do dënohet për krim të rëndë”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha premtoi se qeveria do të mbrojë fermerët në raport me grumbulluesit duke i dhënë fund praktikës që grumbulluesit përcaktojnë çmimin.
“Ka një praktikë në raportin mes fermerit dhe grumbulluesit. Ose ai raport zgjidhet me një bord të përbashkët, të cilët bien dakord me çmimet e grumbullimit duke llogaritur kostot dhe çdo gjë, ose pastaj shteti do të detyrohet të krijojë bordin e tij dhe nuk mund të pranojë që të trajtoheni ju nga grumbulluesit si indianët nga Kolombi që u çonte copa pasqyrash dhe u merrte flori. Kjo nuk ndodh më. E di unë, shkoni atje në treg të Lushnjes se si me dajak diktojnë çmimet. Merr fund ajo”, tha kreu i opozitës.
Sipas Berishës, qeveria Rama i ka lënë në harresë fermerët, por kjo praktikë do të ndryshojë pas 11 majit.
“Në 380 mijë fermerë që japin 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit, që punësojnë rreth 500 mijë shqiptarë, buxheti i shtetit, miq të dashur, ka lënë këtë vit për fermerin, pa llogaritur ato të administratës që marrin rroga, 32 milionë euro. Shumë më qesharake, më e turpshme. Çfarë do bëjmë ne? Ne do u kthejmë paratë, se paratë i marrim nga ju. Ne nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi”, tha Berisha.
Berisha vuri në dukje se qytetarët që banojnë në zonat rurale do të përfitojnë edhe nga vendosja e minimumit jetik, pasi asnjë pension nuk do të jetë më i ulët se 200 euro./vizionplus.tv