E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 34 mijë qytetarë përfitojnë rimbursim tatimor, Tatimet kthejnë 517,7 milionë lekë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Administrata Tatimore ka nisur procesin e rimbursimit të tatimit të mbipaguar për individët që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2025.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga ky proces do të përfitojnë 34,263 individë, ndërsa vlera totale e tatimit që do të rimbursohet arrin në 517,731,642 lekë.

Rimbursimi bazohet në të dhënat e deklaruara në DIVA 2025 dhe përfshin individët që, pas përllogaritjes përfundimtare të detyrimeve tatimore për vitin 2025, kanë rezultuar me tatim të mbipaguar. Shumat përkatëse do të transferohen në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit.

Sipas Administratës Tatimore, ky proces përfaqëson një përfitim konkret për familjet që kanë deklaruar saktë fëmijët në ngarkim dhe të ardhurat e tyre, duke mundësuar kthimin e shumave që u takojnë sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

Autoritetet tatimore vlerësojnë se rimbursimi jo vetëm mbështet buxhetet familjare, por edhe nxit deklarimin korrekt të të ardhurave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe besueshmërisë së administrimit tatimor.

Pagesat kanë nisur dhe do të vijojnë për të gjithë individët që kanë plotësuar kriteret për përfitim dhe kanë deklaruar saktë të dhënat e tyre në DIVA 2025.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›