E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Në 40-vjetorin e PS, Shqipëria do të jetë në BE

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Lezhë, Ermal Nufi, gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste u shpreh se PS ka qenë forcë përcaktuese në zhvillimet politike dhe në fatet e vendit gjatë 35 viteve të pluralizmit,

Në aktivitetin ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Nufi vlerësoi praninë e anëtarëve dhe figurave të spikatura të PS-së nga Mirdita dhe Kurbini, duke e cilësuar këtë bashkim si një moment domethënës për forcën politike.

Sipas Nufit, në 35 vite histori nuk ka pasur asnjë moment kur Partia Socialiste të mos ketë qenë vendimtare në rrjedhën politike të vendit.

Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve ndaj PS-së lidhet me punën e strukturave dhe drejtuesve të saj.

“Nëse ka një gjë të dukshme, është fakti se shqiptarët patriotë dhe zemërmirë i janë bashkuar Partisë Socialiste”, deklaroi Nufi.

Duke folur për perspektivën europiane të vendit, drejtuesi politik i PS në Lezhë u shpreh i bindur se në 40-vjetorin e Partisë Socialiste, Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

“Jam i bindur se në festimin e 40-vjetorit, Shqipëria do të jetë në BE dhe do të kemi arsye për të festuar përmbushjen e misionit tonë”, tha ai, duke theksuar se integrimi europian do të garantojë një të ardhme më të sigurt për brezat.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›