Rama: PS nuk ka lëvizur asnjëherë nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar

TIRANË, 30 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se “PS nuk ka lëvizur asnjëherë nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar”.
Në takimin e zhvilluar në Lezhë për 35-vjetorin e PS-së, Rama vlerësoi rolin e atyre që me kurajo morën vendimin për ta shkëputur PS-në nga e shkuara dhe për ta kthyer me sytë nga e ardhmja.
“35 vjet janë pak për historinë, por janë shumë për të parë dhe për të kuptuar jo vetëm peshën, por edhe impaktin e jashtëzakonshëm që ka pasur PS në jetën e vendit. Mbi të gjitha për të kuptuar vlerën e shtuar që PS ka sjellë duke ju qasur në një mënyrë të pa diskutueshme e të drejtë interesit tonë kombëtar”, tha Rama.
Rama theksoi se edhe pse duket e zakonshme dhe normale që një forcë politike të ketë një qëndrim solid, të palëkundur dhe të kthjellet në raport me interesin kombëtar, kjo nuk ndodh.
“Po të ishte kaq e zakonshme do të ishte karakteristikë e të gjitha forcave politike në Shqipëri, por kjo është karakteristikë e vetëm një force politike, PS-së”, shtoi ai.
Rama solli në vëmendje shembuj që sipas tij, i dallojnë si dita me natën PS-në me kundërshtarët e saj politikë.
PS, sipas tij, “gjendet përballë një fronti kundërshtarësh që nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të saj”.
“Do të jenë ata që janë humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare dhe ata e sulmuan brutalisht PS-së si parti e lidhur me Serbinë, si parti shërbëtore e Beogradit. Por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër, që pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë PS-në, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Sllobodan Milosheviçit dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik”, kujtoi Rama.
Ndërkohë, sipas tij, PS qysh në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së paimagjinueshme të vitit ‘97 u bë mbështetja më e fortë, më e palëkundur dhe mbështetja e përhershme e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës.
“Çlirimtarët e Kosovës trajtoheshin si terroristë dhe përndiqeshin në Tiranë nga ata që sulmonin PS-në si e shitur tek Beogradi. Ndërkohë që po të njëjtët gjetën në Tiranë mbështetjen më të madhe jo vetëm morale, por të gjithanshme për ta çuar përpara kauzën e tyre, betejën e tyre dhe për ta fituar në fund së bashku me aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve”, tha Rama.
Rama tha se PS është e vetmja forcë politike që u krijua si një shëmbëlltyrë e vendosmërisë për të ndarë të shkuarën me të ardhmen dhe për ta kthyer drejtimin nga e ardhmja.
“PS mbeti e vetmja forcë që diti të ruaj me të shkuarën një marrëdhënie dinjiteti kombëtar dhe një marrëdhënie vërtetësie historike, sepse u bë njëkohësisht edhe forca që kurrë nuk lejoi që të përdhosej Lufta Nacional Çlirimtare”, shtoi Rama.
/a.f/