Marrëdhëniet mjek-pacient, Urdhri i Mjekut: Investimet në shëndetësi po ndikojnë në përmirësim

Investimet e viteve të fundit në sistemin shëndetësor të Shkodrës, veçanërisht përmirësimet e infrastrukturës në Spitalin Rajonal, kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e ankesave dhe konflikteve mes mjekëve dhe pacientëve.
Ky është konstatimi i degës rajonale të Urdhrit të Mjekut, një institucion që ka në qendër raportin mjek–pacient dhe synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit shëndetësor.
“Vitet e fundit, marrëdhëniet janë gjithnjë e më shumë drejt përmirësimit dhe të zgjidhshme në raportin e drejtpërdrejtë mjek–pacient. Të gjitha investimet, infrastruktura etj., që janë bërë vitet e fundit, ka ndikuar drejtpërdrejt tek mënyra e dhënies së shërbimit,” shprehet Holta Duda, presidentja rajonale e Urdhrit të Mjekut, Shkodër.
Sipas saj, tashmë vihet re një ndërgjegjësim më i madh edhe nga ana e pacientëve, ne lidhje me vlerësimin dhe bashkëpunim me stafin mjekësor
“Prezenca e trajnimeve të ndryshme në mënyrë të vazhdueshme e ka përmirësuar më tepër marrëdhënien mjek–pacient, sepse edhe pacientët janë më koshientë për atë çfarë duhet të presin kur shkojnë tek mjeku. Sigurisht e kërkojnë këtë gjë jo me ngritjen e zërit ose me pretendime që e rëndojnë mjekun, që e vënë në faj, por siç u takon në të drejtat e tyre,” thotë znj. Duda.
Në kuadër të funksionit të tij për mbikëqyrjen dhe forcimin e raportit mjek–pacient, ky institucion ka në fokus edhe trajnimin e vazhdueshëm të personelit shëndetësor, me qëllim rritjen e standardeve të komunikimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/